E bukura dhe e dobishmja

Përgjatë një shekulli e më shumë, në Shqipëri letërsia është lëvruar gjerësisht, duke njohur kulmin e saj, besoj unë, për nga ana sasiore, gjatë regjimit komunist. Në këtë periudhë, një regjim politik i caktuar (komunist) i organizoi shkrimtarët në një organizatë, u krijoi kushte dhe i ngarkoi të bënin propagandë për interesat e tij. Janë të pafund hektarët me letër që kanë shkruar, por me rënien e regjimit i gjithë mundimi shkoi në koshin e historisë.

Çelo HOXHA, Tiranë

Faik Konica ka shkruar dy herë për Naim Frashërin: herën e parë më 1901, një vit pas vdekjes së poetit; herën e dytë më 1937, me rastin e kthimit të eshtrave të tij në Shqipëri.

Për mendimin tim, leximi ose riliximi i tyre është një mundësi e mirë për të kuptuar cili është roli i letërsisë në një shoqëri dhe kohë të caktuar dhe për të krijuar një ide për kriteret me të cilat mund të bëjmë vlerësimin e saj.

Në artikullin e parë Konica synoi të shprehte respektin e tij për poetin e shquar, duke vlerësuar se “ç’punë të fortë e të palodhur bëri, ky burrë me fletë, për kombësinë tonë”. Sipas Konicës, Naim Frashëri ishte shkrimtar me mision, ai e kuptoi se asgjë nuk ngrihet e fortë, nëse nuk ndërtohet me themele të forta, ndaj iu fut punës dhe “shkroi për djelmërinë”. Naimi, “me gjithë zemrë shkruajti gjithë ata libra të nevojshëm për u përndanë me mijëra nëpër gjithë Toskëri.”

Në këndvështrimin e Konicës 26-vjeçar, Naimi ishte një gjuhëtar “i shëndoshë”, një njeri “i ditur”, njohës “i mbaruar” i greqishtes së vjetër, persishtes dhe shumë gjuhëve të tjera dhe, si shkrimtar, ai “do të kishte mundur e dëshëronte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura,” por zgjodhi t’i kushtohej letërsisë së dobishme. E thënë më qartë: Naimi e përdori talentin për nevojat e vendit të tij.

Kur mori penën sërish të shkruante për Naimin, 36 vjet më vonë, Konica shkroi me rreptësinë e një kritiku letrar të pjekur, duke bërë ca vlerësime të mprehta dhe therëse për Bardin e Rilindjes, me të cilat ai nuk ka qëllim të ulë figurën e Naimit si shkrimtar, por t’u japë një shpullë estetike adhuresve të tij, të cilët i thurin lavde pa kriter poetit të shquar.

Konica e rikujton rolin e Naimit si poet misionar, i cili duke jetuar “mes një turme shqipëtare të fjetur nga mëndia dhe nga zemëra, me shembëllin dhe me fjalën e tij zuri të zgjojë ndienja kombësie nër njerës mpirë.” Por, kur vjen fjala për t’a vlerësuar si shkrimtar, Konica shprehet: “Naimi jo vetëm nuk ish vjershëtor as shkrimtar i math, po nuk ish as i vogël. Nukë dinte të shkruante fare. Çdo njeri i kthiellt, që kupton ç’është stili, munt të gjykojë vetë, shumë lehtë, në u-mundoftë gjysm’ore të këndojë tototo-e-tatatët e Naimit.” Termi tototo-e-tatatë një eufemizëm konician krijuar posaçërisht për poezitë me rimë të Naimit.

Në këtë vlerësim Konica ka parasysh faktin e mungesës së disiplinës stilistike në tekstet e Naimit. Personalisht jam dakord me Konicën në këtë pikë. Në përgjithësi, poezitë e Naimit rrjedhin si një përrua, pa disiplinë, që krijon një shtrat në varësi të butësisë se terrenit, duke i qëndruar besnik vetëm muzikalitetit të vargut dhe mesazhit patriotik të tij. Në gjykimin tim, vlerësimi i Konicës është mjeshtëror. Konica është ndoshta stilisti më i mirë në gjuhën shqipe, i pari, mesa di, që ka shkruar një test mbi stilin e të shkruarit. Pra, ai jo vetëm u përpoq të shkruante me një stil të arrirë, por u tregua edhe bujar me të tjerët, duke u ofruar disa rregulla për të shkuar. Këto rregulla gjenden në esenë e tij “Kohëtore e letrave shqipe” (1906).

Sidoqoftë, vendi i Naim Frashërit në historinë e Shqipërisë dhe të letërsisë shqiptare është i lartë e pacenueshëm, pavarësisht vlerësimeve të kritikës ose elozheve të adhuresve. Ai i ka mbijetuar kohës, gjë që nuk mund të thuhet për të tjerë autorë.

Përgjatë një shekulli e më shumë, në Shqipëri letërsia është lëvruar gjerësisht, duke njohur kulmin e saj, besoj unë, për nga ana sasiore, gjatë regjimit komunist. Në këtë periudhë, një regjim politik i caktuar (komunist) i organizoi shkrimtarët në një organizatë, u krijoi kushte, dhe i ngarkoi të bënin propagandë për interesat e tij. Janë të pafund hektarët me letër që kanë shkruar, por me rënien e regjimit i gjithë mundimi shkoi në koshin e historisë. Askush nuk i respekton më si shkrimtarë. Misioni i tyre përfundoi bashkë me regjimin komunist dhe fundi për të dy palët ishte i palavdishëm.

Regjimi komunist zgjati gjysmë shekulli. Ai imponoi ndryshime të thella në shoqërinë shqiptare, përfshi edhe krijimin e një njeriu që nuk është i aftë të ketë mendim kritik, por veç për të marrë dhe zbatuar urdhëra. Ky individ ekziston akoma, në numër shumë të madh, dhe tek-tuk ndonjë shkrimtar i regjimit komunist vazhdon të nderohet si shkrimtar i shquar, por ata që e mbrojnë nuk kanë etikën morale dhe normat estetike të Faik Konicës, që ishte një patriot i përkushtuar dhe një stilist i shquar. Në gjykimin e tim, Konica është stilisti më i mirë në letërsinë shqipe.

Krahasimi i letërsisë së Rilindjes Kombëtare dhe asaj të realizmit socialist janë dy modele shumë të mira krahasimi për të kuptuar se cili është roli i letërsisë në periudha të caktuara.

Letërsia e Rilindjes nuk u zhvillua e komanduar nga një qendër pushteti, por ajo u zhvillua vetiu, njerëzit morën iniciativa, përcaktuan se çfarë ishte e dobishme për lexuesin e tyre dhe e shkruan, ashtu si mundën, në kohën që patën në dispozicion.

Shkrimtarët e realizimit socialist ishin të organizuar, të orientuar, temat e tyre buronin nga kongreset dhe plenumet e partisë në pushtet. Ato organizoheshin periodikisht me rregullsi. Ata shkruanin për çfarë regjimi e mendonte të dobishme, pa mundësi për ta vënë në dyshim atë. Parimi bazë i letërsisë së realizmit socialist ishte besnikëria e saj ndaj vijës politike të regjimit (partisë); nëse dikush vinte në dyshim, ai ndëshkohej. Heqja e drejtës për të botuar ishte një nga format e buta të dënimit.

Letërsia, si nevojë shoqërore, do të ekzistojë e si formë arti do të lëvrohet për aq kohë sa do të ekzistojë shoqëria njerëzore. Letërsia gojore tregon që ajo ka ekzistuar që nga fillimi i shoqërisë, pra edhe në kohët që gjuha nuk shkruhej.

Roli i letërsisë në një shoqëri, për mendimin tim, do të përcaktohet nga dobia e saj dhe jo nga bukuria. Ajo që vlerësohet për bukurinë mbetet e margjinalizuar, ajo që vlerësohet për dobinë do të jetë më e kërkuar dhe, për rrjedhojë, më e respektuar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button