Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams në gjykatë për korrupsion

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, mund të dalë të premten për paraqitjen e tij të parë në gjykatë lidhur me akuzën se ka pranuar kontribute të paligjshme për fushatën dhe udhëtime ndërkombëtare falas nga persona që donin që ai të përdorte ndikimin e tij në favor të tyre.

Prokurorët e akuzuan të enjten kryebashkiakun demokrat se ka pranuar rryshfete nga zyrtarë dhe biznesmenë turq, përfshirë qëndrime falas në hotele dhe bileta avioni me çmime tepër të reduktuara për destinacione si Franca, Kina, Sri Lanka, India, Hungaria, Gana dhe Turqia, në këmbim të favoreve për ta.

Mes të tjerash, në aktakuzë thuhet se Adams ndihmoi qeverinë e Turqisë që të siguronte miratimin e departamentit të zjarrfikësve për një kullë të re diplomatike në Manhattan, pavarësisht nga shqetësimet se sistemi i saj i sigurisë nga zjarri nuk i plotësonte standardet.

Kryebashkiaku Adams thotë se është i pafajshëm. Avokati i tij ka thënë se nuk është as e pazakontë apo e papërshtatshme që një zyrtar qeveritar të pranojë disa përfitime për udhëtime. Zoti Adams ka mohuar të ketë pranuar ndonjëherë me vetëdije kontribute të paligjshme për fushatën dhe ka thënë se çdo ndihmë që u ka dhënë personave për t’u përballur me procedurat burokratike të bashkisë, ishte thjesht pjesë e kryerjes së detyrës së tij.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut është planifikuar të dalë në mesditë përpara gjykatëses Katharine Parker. Avokati i tij Alex Spiro i kërkoi gjykatës ta shtyjë paraqitjen e tij të paktën deri të hënën, në mënyrë që të minimizohet numri i paraqitjeve të tij në gjykatë. Kjo kërkesë nuk ka marrë ende përgjigje.

Demokrati Adams, përballet me akuza për konspiracion, mashtrim dhe ryshfete në një padi me pesë pika.

Prokurori i Shteteve të Bashkuara, Damian Williams tha të enjten se disa biznesmenë dhe një diplomat turk ishin angazhuar në “një skemë shumëvjeçare për të përfituar favore” nga zoti Adams.

Kryebashkiaku u bëri thirrje të enjten njujorkezëve që të shmangnin gjykime të nxituara, para se të dëgjojnë argumentat e avokatëve të tij.

Avokati Spiro u tha gazetarëve se përfitimet e udhëtimit që kishte pranuar zoti Adams, u ofrohen shpesh personave me pozitë dhe anëtarëve të Kongresit.

Është e paqartë nëse aktakuza e kësaj jave është kapitulli i fundit i hetimeve federale të lidhura me Bashkinë e Nju Jorkut.

Prokurorët federalë besohet se po kryejnë hetime të shumta të veçanta që lidhen me zotin Adams, ndihmësit e tij të lartë dhe të afërmit e këtyre ndihmësve.

Në fillim të shtatorit, hetuesit federalë sekuestruan pajisje nga komisioneri i policisë, kancelarja e shkollave, dy nënkryetarët e bashkisë dhe të besuar të tjerë të zotit Adams.

Vetëm në dy javët e fundit, shefi i policisë ka dhënë dorëheqjen dhe kancelari i shkollës ka njoftuar se do të japë dorëheqjen. Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar për ndonjë një krim apo akuzuar publikisht për shkelje. /VOA/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button