Stoltenberg: Maqedonia e Veriut është aleate e çmuar e NATO-s

Republika e Maqedonisë së Veriut është aleate e çmuar e NATO-s. Me të vërtetë ju çmojmë dhe e çmojmë shumë kontributin tuaj drejt Aleancës sonë. NATO mund të mbështetet në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Maqedonia e Veriut mund të mbështetet në NATO, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Qeveri.
“Ju kontriboni në sigurinë e Ballkanit Perëndimor përmes misioneve tona paqësore me KFOR-in në Kosovë. Jeni të vendosur të shpenzoni dy për qind të PBB-së në mbrojtje deri vitin e ardhshëm, ndërsa Maqedonia e Veriut fuqishëm e dënoi edhe agresionin rus kundër Ukrainës. U përfshitë në BE kur vendosët sanksione për Moskën dhe ofroni mbështetje ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Aleanca ju garanton siguri. Jeni të mbuluar nga aeroplanët e NATO-s, dhe ky është në fakt solidariteti i NATO-s në vepër”, theksoi Stoltenberg.
Ai theksoi se siguria në Ballkanin Perëndimor është me rëndësi themelore për NATO-n dhe siç tha, këtu ka shkaqe për shqetësim.
“Tensionet janë ngritur në BeH dhe unë inkurajoj liderët politikë këtu që të përmbahen nga retorika përçarëse dhe secesioniste, dhe në vend të kësaj të përqendrojnë përpjekjet e tyre në pajtimin dhe një të ardhme paqësore. Në Kosovë kohëve të fundit kemi parë incidente të dhunës serioze. Beogradi dhe Prishtina duhet të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja sepse kjo është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje që do të respektojë të drejtat e të gjitha bashkësive”, tha Stoltenberg në konferencën për media në Qeveri.
Kryeministri Kovaçevski nga ana e tij theksoi se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s vazhdon të investojë në fuqizimin e kapaciteteve në ruajtjen dhe përforcimin e statusit të aleatit me besim në Aleancë.
“Si anëtarët më të rinj u përkushtuam dhe arritëm integrimin ushtarak të çdo shteti të mëparshëm anëtar që i është bashkuar Aleancës. Vitin e kaluar ne i kushtuam një fokus të veçantë forcimit tonë në përballjen e me kërcënimet hibride dhe mbrojtjes kibernetike, për çka më duhet të falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilët në bashkëpunim me NATO-n kanë mbështetjen e plotë të aleatëve tanë në këto sfida të mëdha që i patëm në fillim të vitit”, theksoi Kovaçevski.
Sipas tij, stabiliteti i rajonit është me rëndësi të jashtëzakonshme dhe thelbësore dhe kjo më shumë se kurdoherë.
“Pikërisht për këtë prioriteti ynë është integrimi evropian. Para së gjithash në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon. Ne nuk duhet të kemi pengesa dhe frena në atë rrugë dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta çuar deri në fund, deri në anëtarësimin tonë në BE në vitin 2030”, tha Kovaçevski në konferencën e përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në Qeveri.
Kovaçevski theksoi se me qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e siguruar me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut ishte njohur nga investitorët si destinacion i mirë për investime.
“Maqedonia e Veriut është njohur nga investitorët si destinacion i mirë dhe këtë më së miri e vërtetojnë numrat në lidhje me investimet e huaja direkte, në raport me rritjen e numrit të të punësuarve, rritjen e pagës mesatare që sot shpallet më e larta në historinë e shtetit dhe numrit të ulur të të papunëve. Pikërisht kjo është arsyeja pse rruga europiane është rruga e duhur, ashtu si integrimi në NATO, që ishte integrim i vërtetë për vendin 3 vite më parë. Qytetarët tanë meritojnë të jenë pjesë e Unionit të shteteve më të zhvilluara, më të pasura, me të cilët do të arrijmë progres ekonomik, por edhe drejtësi sociale dhe sundim suprem të demokracisë dhe sundim suprem të ligjit”, deklaroi ai.
Shfaqi shpresë se së shpejti do të përmbushet edhe qëllimi i dytë strategjik ndërsa ai është anëtarësimi në BE.
“Një qëllim strategjik me NATO-n është përmbushur. Besoj se me ndihmën tuaj dhe të miqve tanë nga bashkësia euroatlantike do të arrijmë të përmbushim qëllimin e dytë strategjik, anëtarësimin në BE dhe të përmbushim kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve për një jetë më të mirë, më të begatë dhe më të pasur”, nënvizoi ai.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot e vizitoi edhe Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, ku mbajti fjalim.



