Zvarritja e proceseve gjyqësore është bërë praktikë, Llaskarca akoma pa epilog final

Tetë muaj iu deshën Gjykatës Penale të Shkupit ta shkruajë aktgjykimin për procesin gjyqësor maratonik prej pesë vitesh, në lidhje aksidentin tragjik të autobusit “Durmo Turs” në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona dhe 39 të tjerë u lënduan. Vonesa e dorëzimit të aktgjykimit deri te palët është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë Penale, i cili parashikon që aktgjykimi duhet të jetë gati në afat prej maksimum dy muajsh.
“Aktgjykimi që është publikuar patjetër të përgatitet me shkrim në afat prej 15 ditësh pas publikimit, ndërkaq në lëndët e komplikuara me përjashtim në afat prej 60 ditësh, afate të cilat nuk mund të tejkalohen”, thuhet në Nenin 407, paragrafi 1 i Ligjit për Procedurë Penale.
Për këtë, familjarët e viktimave në vazhdimësi kanë theksuar se procesi i Llaskarcës është “drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”, duke nënvizuar se zvarritjet janë të qëllimshme.
Megjithatë, palët tani duhet të vazhdojnë përballjen në shkallën e dytë, në Gjykatën e Apelit, ku do të duhet të japin sqarime dhe prova për teoritë e tyre të rastit, të cilat janë diametralisht të kundërta. Prokuroria pajtohet me faktin që të gjithë 6 të akuzuarit janë shpallur fajtorë, por nuk është e kënaqur me lartësinë e dënimit. Ankesa kanë paralajmëruar edhe të akuzuarit tjerë, asnjëri prej të cilëve nuk e pranon fajin.
Çështja e zvarritjes së proceseve gjyqësore në vazhdimësi është një ndër kritikat kryesore të qytetarëve, për çka edhe niveli i tyre i besimit në togat e zeza është në përqindje mjaft të ulët. Kjo, përveç dëmit në kredibilitetin e institucioneve të drejtësisë, dëmton dhe buxhetin e shtetit. Sipas ministres së Financave, vetëm gjatë vitit 2024, Maqedonia e Veriut ka paguar 3 milionë euro për mosdorëzim të aktgjykimit në afat të arsyeshëm.