Protestojnë edhe punonjësit e Avokatit të Popullit, kërkojnë rritje pagash

Punonjësit e Avokatit të Popullit nisin me protestë paqësore, por qytetarët do të mund të reagojnë edhe ndaj parregullsive dhe shkeljeve të të drejtave që u ndodhin çdo ditë nga subjektet e sektorit publik, transmeton Alfax.

“Çdo institucion i Avokatit të Popullit në botë, përfshirë edhe Avokatin e Popullit në vendin tonë, duhet të jetë i pavarur dhe krejtësisht i ndarë nga institucionet ndaj të cilave ndërmerr veprime për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, gjë që nuk është rasti këtu.

Për shkak të ngecjes së procedurës së miratimit të ndryshimeve në Ligjin ekzistues për Avokatin e Popullit, aktualisht nuk është e mundur të tejkalohen disa dobësi të cilat janë shprehur dhe konstatuar nga Komisioni Evropian në raportet për progresin e shtetit. Së bashku me miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit i cili është në Kuvend, rekomandohet edhe zbatimi i Rekomandimit të Komisionit Evropian kundër racizmit dhe intolerancës në Këshillin e Evropës, i cili parashikon që autoritetet t’i japin pavarësi financiare Zyrës së Avokatit të Popullit, kështu që për shfrytëzimin e mjeteve të tyre buxhetore nuk do të duhej të kërkonin miratim nga Ministria e Financave”,  tha kryetarja e  organizatës sindikale tek institucioni Avokati i Popullit.

Sipas saj, nevojitet një zgjidhje e re ligjore, me të cilën punonjësit e Avokatit të Popullit nuk do të përfshihen në rrethin e të punësuarve që mbulon Ligji për zyrtarët administrativë, por do të jenë të pavarur .

“Për punësim tek Avokati i Popullit dhe për plotësimin e vendeve të lira nuk do të kërkohet pëlqimi nga Ministria e Financave. Theksojmë se është e nevojshme të sigurohen mjete të posaçme me buxhet që do të financojnë punën e Avokatit të Popullit dhe Departamentit të Kontrollit të Brendshëm, aktivitete të cilat prej vitesh janë financuar herë pas here nga projekte të financuara nga partnerë të huaj. Dhe sigurisht, jo më pak e rëndësishme, pa vonesë të jetë edhe rritja e pagave të punonjësve të Avokatit të Popullit, sepse të ardhurat tona mujore për momentin janë shumë larg pagave të organeve të tjera të pavarura dhe rregullatore, si dhe të punonjësve të administratës në përgjithësi”, tha kryetarja e sindikatit.

Punonjësit e Avokatit të Popullit publikisht i kërkuan Kuvendit të RMV-së dhe deputetëve që menjëherë të zbatojnë procedurën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Avokatin e Popullit, duke përfshirë  çështjet e përmendura.

 

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button