Këshilli Gjyqësor do ta analizojë motivin e gjykatësit që ka dashur ta kthejë në paraburgim ish ushtarin e UÇK-së

Rasti i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani, i arratisur nga arresti shtëpiak, do të hetohet nga Komisioni i posaçëm që do të duhet të vërtetojë gjendjen faktike në lidhje me vendimet e Gjykatës Themelore Penale. Shkupi pak para arratisjes.
Vendimin për themelimin e një komisioni të tillë e ka marrë Këshilli Gjyqësor në seancën e sotme. Kryetarja Vesna Dameva thotë se nuk janë njoftuar zyrtarisht për rastin, por po reagojnë pasi kanë dëgjuar zëra.
“Unë e konsideroj të nevojshme si person i parë i Këshillit Gjyqësor që të formohet një komision dhe sa më shpejt të konstatohet gjendja faktike lidhur me këtë dhe të dalim me të dhëna konkrete para opinionit. A ka ndodhur diçka, a është Gjykata fajtore apo jo, të mos paragjykojmë. Reagimi i Këshillit Gjyqësor në këtë moment, sipas kompetencës së tij, është të hetojë situatën, të mos paragjykojë asgjë”, tha kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në seancën e sotme.
Komisioni që do të duhet të shqyrtojë vendimet e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit lidhur me paraburgimin e Ramadanit do të përbëhet nga gjyqtari Aleksandar Kambovski nga Gjykata Penale, zëvendëskryetari i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli dhe anëtari i Këshilli Gjyqësor, Pavlina Crvenkovska.
“Pas konstatimit të situatës, Komisioni është i obliguar që të përgatisë raport të cilin do ta dorëzojë në Këshillin Gjyqësor dhe më pas Këshilli Gjyqësor do të diskutojë dhe vendosë”, shtoi Dameva.
Vendimi i Këshillit Gjyqësor vjen pas arratisjes nga arresti shtëpiak të ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Blerim Ramadani. Ramadani u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni në bazë të fletarrestit të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë.