Libri i librave

Shkruan: Daut DAUTI, Londër
Libri i Averroes (Ibn Rushdit) në arabisht me titull ‘Tahafut Al-Tahafut” kurse në anglisht “The Incoherence of the Incoherence, në shqip mund të përkthehet si “Pandërlidhja e Pandërlidhësisë” ose “Palidhja e Palidhësisë” është ndër veprat themelore të filozofisë, teologjisë dhe historisë së këtyre lëmive. Averroa në këtë vepër grandioze debaton me Al Gazalin duke e angazhuar arsyeshmërinë e bazuar në filozofinë e Aristotelit. Al Gazali bazohet në teologji, e cila e refuzon arsyen e Aristotelit të transmetuar dhe përpunuar nga Averroa. Në botën islame ka dominuar aspekti teologjik i Al Gazalit. Sikur të dominonte ai i Averroas bota islame sot me siguri do të ishte ndryshe pasi që do të aplikohej parimi i arsyeshmërisë edhe para Zotit. Ky libër ka ushtruar ndikim të madh në literaturën e Perëndimit ku është perkthyer në latinisht në mesjete e më vonë në gjuhë tjera. Sikur të ishte përkthyer edhe në shqip, shqiptarët ndoshta do ta kishin lexuar dhe do ta kishin shumë më të lehtë kuptimin e filozofisë, por edhe të fesë islame që sot qëndron si i mjegulluar.
Pra, Al Gazali e refuzon arsyeshmërinë duke e potrencuar dallimin e Ash’aritëve dhe Mu’tazilitëve në lidhje me konceptin e Zotit. Ky është citati i Al Gazalit dhe një pjesë e shtuar nga parathënia e librit të botuar në anglisht nga Simon Van Den Berg ku shihet esenca e besimit në Zot dhe dallimi i spjegimit mes teologjisë dhe filozofisë (arsyes):
“Ta imagjinojmë një fëmijë dhe një të rritur në Parajasë. Që të dy kanë vdekur si besimtarë të plotë, por i rrituri ka vend më të lartë se sa fëmija. Dhe fëmija e pyet Zotin “Pse atij njeriut i ke dhënë vend më të lartë?” Dhe Zoti do të përgjigjej “Për shkak se ai ka bërë shumë punë të mira”. Pastaj fëmija thot ”Pse ke lejuar që unë të vdes kaq heret dhe me këtë më ke parandaluar që të bëjë vepra të mira?” Zoti do të përgjigjej “Sepse e kam dijtë se kur të rritesh do të bëhesh mëkatar, prandaj ka qenë më mirë të vdesësh si fëmijë”. Pastaj, nga të denuarit e mallkuar dëgjohet bërtima nga thellësia e Ferrit “Pse, o Zot, nuk ke lejuar që edhe ne të vdesim para se të bëheshim mëkatarë?”
Kësaj Al Gazali ia shton këtë thënie:”Vendimi i pakuptueshëm i Zotit nuk mund të matet me peshojën e arsyes dhe me Mu’talizmin”.
Pastaj, poashtu në parathënie jepen edhe këto detaje të shkëputura, si më poshtë:
Mund të thuhet se Santa Maria sopra Minerva është simbol i kulturës evropiane, por nuk duhet të harrohet se gjamia është ndërtuar mbi tempullin grek. […] Periudha madhështore e përkthimeve nga greqishtja në arabisht, kryesisht nga ndërmjetësuesit sirianë të krishterë, ka qenë nga vitet 750 deri në 850, por edhe para kësaj kohe ka ekzistuar një ndikimi ideve greke në telogjinë muhamedane. Teologët e parë spekulativë në Islam janë quajtur Mu’tazilitë (nga viti 723), nga greqishtja. […]
Kulmi i filozofisë islame ka qenë në shek. X dhe XI. Kjo, gjithashtu, ka qenë edhe epoka e teologëve të mëdhenj. Kanë qenë idetë greke, që janë marrë pjesërisht nga stoikët dhe skeptikët e që teologët provuan t’i rrëzonin idetë e filozofëve. Filozofët, vetëvetiu kanë qenë përcjellës të Aristotelit, siç janë parë me sytë e komentuesve neoplatonik.
Në kacafytjet në Islam ndërmjet filozofisë dhe teologjisë, filozofia është mundur kurse grushti vendimtar i është dhënë nga sulmi i Gazalit, e cila në esencë është e inkorporuar në librin e Averroas të cilin ai provon ta zhvlerësojë.
Gazali, i cili ka lindur në mesin e shek. XI, është njëri nga figurat më markante dhe në të njejtën kohë tejet enigmatike në islam. Sikur Shën Augustini, me të cilin ai shpesh krahasohet, ai na tregon në autobiografinë e tij se si është dashur ta kalojë një periudhë dëshpërimi dhe skepticizmi derisa Zoti i kishte dhënë paqë dhe siguri, jo përmes demonstrimit, por përmes dritës së Tij të mëshirshme. Megjithatë, Gazali nuk është vetëm mistik, por edhe dogmat e moralist i madh.
Averroa është filozofi i fundit i madh në islam në shek. XII dhe poashtu shkollari dhe komentuesi i skrupullt i Aristotelit. Ai është shumë më i njohur në Evropë se sa në Orient ku disa vepra të tija janë ende në ekzistencë dhe ku nuk kishte influencë, por që ishte filozof i madh i kulturës së tij. Renan, i cili e ka shkruar një libër të madh për te “Averroes et l’ Averrisme”, kurrë nuk kishte parë ndonjë rresht të shkruar nga ai në arabisht. Së voni disa nga veprat e tija janë redaktuar në arabisht, si p.sh. “Tahafut al Tahafut” në mënyrën më shembullore. Influenca e Averroes në mendimin evropian të mesjetës dhe Rrenesancë ka qenë tejet e madhe.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button