Gazetarja amerikano-ruse dënohet me mbi gjashtë vjet burgim në Rusi, në një gjykim sekret

Një gjykatë ka dënuar Alsu Kurmashevan, një gazetare ruso-amerikane të Radio Evropës së Lirë, me gjashtë vjet e gjysmë burgim, nën akuzën për “përhapjen e informatave false lidhur me ushtrinë ruse”.
Agjencia “AP” raporton se Kurmasheva është dënuar në një gjykim sekret. Gjykimi mbajt në qytetin Kazan të premten, në ditën e njëjtë që gjykata në qytetin rus Yekaterinburg e dënoi gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, për spiunazh dhe i dha dënim me 16 vjet burgim. SHBA-ja tha se dënimi i Gershkovichit ishte i motivuar politikisht.
Kurmasheva 47-vjeçare, redaktore e shërbimit Tatar-Bashkir të Radio Evropës së Lirë, u dënua për “përhapje të informatave false” lidhur me ushtrinë, sipas uebfaqes së Gjykatës Supreme të Tatarstanit. Zëdhënësja e gjykatës Natalya Loseva e ka konfirmuar për “AP” se Kurmasheva u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim.