Skllavëria, ana e errët e “qytetit të paqes” në Zvicër
Nga Ugo Leo, La Stampa
Familja Hinduja, e cila sipas shumë raportimeve zotëron një pasuri prej 44 miliardë eurosh, akuzohet për shfrytëzim dhe trafikim të qënieve njerëzore. Akuzat kundër saj, kanë të bëjnë me praktikën e punësimit të shërbëtorëve nga India, për t’u kujdesur për fëmijët dhe vilën e tyre në lagjen e pasur Kolonji në Gjenevë të Zvicrës.
Sipas autoriteteve zvicerane, Prakash dhe Kamal Hinduja, së bashku me djalin e tyre Ajay dhe gruan e tij Namrata, ua kishin konfiskuar pasaportat e punonjësve që kishin marrë në shërbim të tyre, i paguanin vetëm 8 euro për ditët e stërgjata të punës, që arrinin deri në 18 orë.
Po ashtu, ata ua kishin kufizuan lirinë duke i detyruar të mos largoheshin nga shtëpia e tyre, përveçse në raste shumë të rralla. Familja Hinduja drejton grupin e kompanive me të njëjtin emër “Hinduja”. Ata janë të angazhuar në sektorë të ndryshëm, nga prodhimi i makinave dhe shërbimet financiare deri tek nafta, gazi, media, kujdesi shëndetësor dhe telekomunikacioni.
Kompania ka mbi 200 mijë punonjës në mbarë botën. Edhe pse javën e kaluar u arrit një marrëveshje financiare mbi akuzën e shfrytëzimit të padrejtë, familja Hinduja vazhdon të gjykohet për akuzën e trafikimit të qënieve njerëzore, që në Zvicër përbën një vepër penale shumë të rëndë.
Vetë familja e krimbur në para,m i mohon akuzat që i bëhen. Gjatë seancës që u mbajt këtë javë në gjykatë, një nga prokurorët më të famshëm të Gjenevës, Yves Bertossa, e krahasoi shumën prej gati 10.000 dollarësh në vit që ai tha se familja Hinduja shpenzon për qenin e tyre, me pagën ditore mjerane paguan për shërbëtorët e saj.
Avokatët e familjes Hinduja nuk i mohuan në mënyrë specifike akuzat për pagat tejet të ulëta, por thanë se ato duhet të analizohen në kontekst. Pala mbrojtëse, vuri gjithashtu në dukje se veç pagës stafi kishte falas fjetjen dhe ngrënien. Ndërkaq u kundërshtua akuza për një angazhim mbi 18 orë unë në ditë.
Një nga avokatët mbrojtës të familjes së pasur, argumentoi se shikimi i një filmi nga shërbëtori me fëmijët e familja Hinduja, nuk mund të konsiderohet punë. Disa ish-shërbëtorë dëshmuan në favor të familjes së pasurve, duke i përshkruar ata si një familje miqësore dhe që i trajtonte me dinjitet shërbëtorët e tyre.
Por pavarësisht këtyre dëshmive, akuzat për sekuestrimin e pasaportave të stafit dhe mohimin e lirisë së daljes nga shtëpia pa leje janë shumë të rënda, pasi mund të përfshihen në kategorinë e trafikimit të qenieve njerëzore. Prokurori i çështjes, kërkon dënime me burg për anëtarët e familjes Hinduja, miliona dollarë dëmshpërblim për ish-shërbëtorët e abuzuar, si dhe kompensim për shpenzimet ligjore të procesit.
Ana e errët e Gjenevës
Nuk është hera e parë që qyteti i Gjenevës, ku kanë selinë e tyre shumica e organizatave ndërkombëtare, dhe ku jetojnë edhe disa prej personazheve më të pasura të botës, ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak të keqtrajtimeve të dyshuara të shërbëtorëve në shtëpitë e manjatëve.
Në vitin 2008, Hannibal Gaddafi, djali i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi, u arrestua nga policia në hotelin e tij me pesë yje në Gjenevë, bazuar në informacionin se ai dhe gruaja e tij kishin rrahur shërbëtorët e tyre, duke përdorur mes të tjerash edhe një varëse palltosh.
Më vonë çështja ndaj tyre u pushua, megjithatë ajo shkaktoi një krizë të fortë diplomatike midis Zvicrës dhe Libisë, ku dy shtetas zviceranë u arrestuan shumë shpejt në kryeqytetin libian Tripoli në shenjë hakmarrje. Vetëm vitin e kaluar, katër punëtorë shtëpiakë nga Filipinet, ngritën një padi kundër njërit prej misioneve diplomatike të Gjenevës në Kombet e Bashkuara. Filipinasit pretendonin se nuk ishin paguar prej vitesh.
Rasti i profilit të lartë të familjes Hinduja, do të tërheqë edhe një herë vëmendjen mbi anën e errët të kryeqytetit diplomatik të Zvicrës, të cilit i pëlqen ta quajë veten edhe si “qyteti i paqes”, për shkak të shumë negociatave dhe konferencave për paqe, që janë zhvilluar dhe vazhdojnë të mbahen atje.