Putini: Gaza s’i ngjan luftës, shkatërrim total i popullsisë civile, dështim i plotë i ShBA-së

Presidenti rus, Vladimir Putin, i dënoi luftimet në Gaza, duke i quajtur “shkatërrim total i popullsisë civile”, ndërsa propozi që Moska mund të jetë një ndërmjetëse e dobishme për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez.

“Ajo që po ndodh tani në Gazë si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist ndaj Izraelit, nuk i përngjan një lufte. Është një lloj i shkatërrimit total të popullsisë civile” – u tha kreu i Kremlinit përfaqësuesve të mediave të huaja, përfshirë agjencinë franceze të lajmeve, AFP, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Në komente të tjera, ai tha se Moska e sheh gjendjen si rezultat i një “dështimi total” nga Shtetet e Bashkuara, por se ka shpresë për shtetësinë palestineze. Presidenti rus sugjeroi se Rusia po mundohet që të kontribuojë për gjetjen e paqes, siç mundet edhe ShBA-ja, por roli kyç duhet të jetë nga shtetet në rajon, përfshirë Turqinë.

“Ne jemi kundër terrorizmit në të gjitha manifestimet e tij, kundër sulmeve ndaj civilëve – në çfarëdo vendi dhe në secilin shtet” – tha Putini, sipas një raportimi të agjencisë turke të lajmeve, “Anadolu Agency”.

Duke i fajësuar politikat e Uashingtonit për dështimin që të zgjidhet konflikti izraelito-palestinez me dekada, presidenti rus tha: “Ata [amerikanët] e monopolizuan procesin e paqes. Ata i shtynë anash të gjithë mekanizmat e themeluar më parë për përpjekje kolektive për ta zgjidhur këtë problem tepër të vështirë.”

“Megjithatë, në praktikë, ky nuk ishte rasti. Nuk është e mundshme që të zgjidhet problemi me disa dhurata materiale. Çështja e vërtetë, çështjet politike, duhet të zgjidhen. Këtu përfshihet krijimi i dy shteteve, siç parashihet në vendimin e OKB-së për themelimin e dy shteteve në këtë territor – një shtet palestinez dhe një shtet hebraik” – tha më tej Putini.

“Sa i përket pjesës sonë, duke i marrë parasysh marrëdhëniet tona të gjata me Izraelin, ne jemi të gatshëm për të bërë gjithçka që Rusia mundet për ta zgjidhur këtë situatë” – deklaroi kreu i Kremlinit.

“Ne për një kohë të gjatë e kemi njohur shtetin palestinez, që nga periudha e Bashkimit Sovjetik. Qasja jonë në këtë aspekt nuk ka ndryshuar” – shtoi ai.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button