KSHZ: Vendimet për rivotim u sollën në bazë të dëshmive, Qeveria të ndalojë presionin

Një reagim i Kryetarit të KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski dhe anëtarëve të KSHZ-së, Radica Risteska, Oliver Ristovski, Boris Kondarko, Boban Stojanoski dhe Abdush Demiri, ka sjellë në vëmendje presionin e vazhdueshëm të ditëve të fundit ndaj KSHZ-së, lidhur me vendimet e Komisionit për parregullsitë zgjedhore në 7 vendvotime. Ata thonë se nga 110 ankesa nga partitë, i kanë pranuar vetëm 7 sepse për to ka pasur dëshmi, ndërsa i ka refuzuar 103.

Ja reagimi i plotë i tyre:

Me shqetësim të veçantë për ngjarjet që janë prodhuar në opinion nga deklaratat e partive politike dhe të bartësve të pozitave të larta qeveritare, të cilat i referohen punës së KSHZ-së në lidhje me trajtimin e kundërshtimeve për zgjedhjet parlamentare, ju njoftojmë se përveç poshtërimit dhe ofendimit personal, edhe si anëtarë të institucionit më të lartë për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, jemi të ekspozuar ndaj presioneve të pabaza dhe të papërshtatshme politike publike dhe kërcënimeve për përgjegjësi penale për shkak të vendimeve të KSHZ-së.

Përveç kësaj, dhe duke ndjekur kontekstin dhe intensitetin e sulmeve, sharjeve dhe fyerjeve, ne jemi gjithashtu të shqetësuar se është e mundur që ato të kthehen në sulme personale ndaj sigurisë sonë.

Ju njoftojmë se KSHZ-ja i ka zhvilluar zgjedhjet në mënyrë profesionale, transparente dhe vetëm në bazë të ligjit, të cilin e vërtetojnë të gjithë faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë.

Gjithashtu, përkundër shqetësimeve që kemi, me shkallën më të lartë të integritetit, në bazë të një kontrolli publik të materialit zgjedhor, KSHZ-ja i vërtetoi faktet dhe vendosi për kundërshtimet e paraqitura nga pjesëmarrës të ndryshëm për 110 vendvotime, nga të cilat, bazuar në prova të arsyetuara, ka miratuar kundërshtime vetëm për 7 vendvotime për të cilat ka pasur bazë ligjore, ndërsa të gjitha 103 vendvotime të mbetura janë refuzuar si të pabazuara dhe asnjë pjesëmarrës në zgjedhje nuk ka paraqitur padi për to.

Prandaj, për KSHZ-në janë të papranueshme sulmet, presionet dhe ndërhyrjet e partive të caktuara politike dhe individëve nga Qeveria teknike në procedurat zgjedhore, si dhe në punën dhe vendimmarrjen e KSHZ-së dhe Gjykatës Administrative.

Për të gjitha këto sot në mbledhjen e KSHZ-së është njoftuar ambasadorja e misionit vëzhgues të OSBE-ODIHR, Jillian Streek.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button