Nesër do të votojnë të sëmurët, të burgosurit dhe diaspora

Një ditë para ditës së votimit për zgjedhjet e dyfishta, nesër të parët që do të ushtrojnë të drejtën e votës janë të sëmurët dhe të pafuqishmit, si dhe të burgosurit në INP në vend, transmeton Portalb.mk.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) njofton për MIA-në se për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 11.123 persona të sëmurë dhe të pafuqishëm, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është më i madh për 102 votues, përkatësisht do të votojnë 11.225 të sëmurë dhe të paaftë.

Këta persona do të votojnë në shtëpitë e tyre, ku nesër do të vizitohen nga anëtarët e këshillave zgjedhore.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ashtu si në raundin e parë zgjedhor, të drejtë vote kanë 1.814.317 votues. Në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, të drejtën e votës do të mund ta ushtrojnë edhe 1.033 votues, pra 1.815.350 votues.

Dallimi në numrin e votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore është për ata qytetarë që kanë mbushur 18 vjeç në mes të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Të drejtën e votës, përveç të sëmurëve dhe të burgosurve, nesër do ta ushtrojnë edhe qytetarët e regjistruar të Maqedonisë nga diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale. Votimi për zgjedhjet parlamentare në diasporë nuk do të bëhet për shkak të numrit të pamjaftueshëm të kandidatëve të regjistruar.

Ndryshe, sot partitë politike dhe kandidatët presidencialë e kanë ditën e fundit për të prezantuar programet dhe ofertat e tyre para se qytetarët të japin fjalën e tyre të fundit në zgjedhjet e 8 majit, pra të vendosin se kush do ta udhëheqë vendin në vitet e ardhshme dhe si do të jetë përbërja e re parlamentare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button