Në sulmin izraelit në një shtëpi në Rafah vriten 7 palestinezë, përfshirë 4 fëmijë

Në një sulm ajror të kryer nga Izraeli në një shtëpi në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës u vranë 7 palestinezë, mes tyre 4 fëmijë, transmeton Anadolu.
Sipas informacionit të marrë nga burime lokale, avionët luftarakë të ushtrisë izraelite kryen sulm ajror në shtëpinë e familjes palestineze Shahin në lagjen Ez-Zuhur të Rafahut. Në sulm humbën jetën 7 palestinezë, mes të cilëve 4 fëmijë dhe një grua ndërsa disa u plagosën.
Pas deklaratës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se do të sulmonin qytetin Rafah, u shtuan sulmet ajrore të ushtrisë izraelite në Rafah, i cili pret qindra mijëra njerëz të zhvendosur në jug të Rripit të Gazës. Në deklaratën e tij më 30 prill, Netanyahu tha se do të sulmojnë Rafah, pavarësisht nëse do të ketë marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve apo jo.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori, janë vrarë 34.596 palestinezë, përfshirë të paktën 14.685 fëmijë dhe 9.670 gra ndërsa u plagosën 77.816 persona. Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.