Bujar Osmani: Ne do të duhet të jemi në Qeveri

Përfaqësuesi i Frontit Europian, Bujar Osmani tha se Fronti Europian mbetet opsioni më i palëkundur që skicon rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.
Në press konferencën e sotme, Osmani rikujtoi se partia shqiptare në pushtet ishte ruajtësi i kursit euro-atlantik të vendit, teksa VMRO-DPMNE-ja për një dekadë e bllokoi rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE.
“Fronti Europian ishte dhe mbetet opsioni më i palëkundur që skicon rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut, si e vetmja trajektore që na shpie në të ardhmen e sigurt. Zgjedhjet e 24 prillit dëshmuan se Fronti Europian është fituesi dhe çelësi i të ardhmes euro-perëndimore të vendim tonë.
Pa asnjë dyshim, Fronti Europian është opsioni i vetëm që do të prodhojë stabilitet qeveritar, me mbi 20 mandate deputetësh.
Fronti Europian është opsioni i vetëm që do të mund të sigurojë shumicën e Badenterit, pa të cilën nuk mund të rezistojë asnjë qeverisje e ardhshme në RMV.
Fronti Europian është opsioni i vetëm që do të mund të diktojë orientimin e qartë properëndimor të vendit tonë, dhe në vitin 2030 me dy këmbë do të jemi brenda BE-së dhe në aleancë të qëndrueshme me SHBA-në”, ka thënë Osmani.



