BDI-në nuk po e do më askush, shkon në opozitë
Fushata zgjedhore po zhvillohet me ritëm të plotë, por një pjesë e partive filluan të kalkulojnë dhe flasin për Qeverinë e ardhshme me koalicione të mundshme paszgjedhore. Megjithatë disi sikur të gjithë po distancohen nga BDI-ja dhe thonë se thjeshtë nuk duan të hyjnë në Qeveri në të cilën në koalicion është edhe partia e Ahmetit. Edhe kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski tha se edhe pse në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale BDI-ja ka fituar 120 mijë vota, më të kënaqur duhet të jenë nga VLEN të cilët nuk kanë makineri të tillë partiake.
“BDI po përballet me kundërshtarin e saj për herë të parë pas një kohet të gjatë politike nga blloku shqiptar. Ata janë 22 vjet në pushtet me sistem të instaluar dyfish më të madh sesa ai që e kishte Gruevski, për shkak se Gruevski ishte 11 ndërsa këta janë 22 vjet në pushtet, që në fund të ditës të përfundojnë, po flas për zgjedhjet presidenciale, Taravari mori 85 mijë vota pa asnjëfarë strukture, praktikisht viz-a-vi njëqind e diçka mijë vota që kishte Bujar Osmani”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se tashmë ka filluar të negociojë me një pjesë të partive, ndërsa me Taravarin tha se është dëgjuar edhe në ditën e zgjedhjeve ku i ka dëshiruar sukses dhe Qeveri të ardhshme. Ai tashmë edhe në tubime përdorë retorikë se BDI së bashku me LSDM do të shkojnë në opozitë.
“BDI nuk mundet tashmë më shumë me LSDM e më pak me VMRO-DPMNE. Atë që e bëri para 6 vjetëve e gjysmë kur nuk e respektoi rregullin, fituesi me fituesin dhe kur bënë Qeveri me LSDM-në e cila atëherë ishte humbëse, tani do t’i dërgojë së bashku me LSDM-në në opozitë. BDI shkon në opozitë. Ali Ahmeti shkon në opozitë pas 20 vjetëve”, shtoi Hristijna Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, thotë se ende nuk kanë pasur bisedime me VMRO-DPMNE-në, por hapur flet se nuk do të hyjë në asnjë koalicion të mundshëm me BDI-në.
“ZNAM nuk do të hyjë në asnjë koalicion të mundshëm paszgjedhor në të cilin do të marrë pjesë edhe partneri i tanishëm dhe i kaluar qeveritar, që është BDI për shkak se vlerësojmë se ajo parti politike është ndërtuar në vazhdimësi me korrupsion dhe i nevojitet reformë serioze që të mundet të pastrohet nga e kaluara dhe gjithë të këqijat që i ka bërë në këtë shtet”, u shpreh Maksim Dimitrievski, kryetar i ZNAM.
Dje Taravari në profilin e tij në Facebook, shkroi se për ta tani prioritet është që në zgjedhjet e 8 majit të fitojnë sa më shumë mandate dhe më pas në negociatat për Qeverinë e ardhshme do të udhëhiqen sipas interesave kombëtare të shqiptarëve.