Afrika e Jugut tërheq ambasadorin nga Izraeli, akuzon për gjenocid në Gaza
Qeveria e Afrikës së Jugut ka tërhequr të hënën ambasadorin dhe misionin e saj diplomatik në Izrael në shenjë proteste të bombardimeve të Rripit të Gazës, duke e quajtur atë një “gjenocid”, raporton AP.
Qeveria kërcënoi gjithashtu me veprime kundër ambasadorit izraelit në Afrikën e Jugut për shkak të komenteve të tij të fundit mbi qëndrimin e vendit afrikan ndaj luftës Izrael-Palestinë. Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me vërejtjet.
“Qeveria e Afrikës së Jugut ka vendosur të tërheqë të gjithë diplomatët e saj në Tel Aviv për konsultim”, tha ministrja e presidencës Khumbudzo Ntshavheni. Ajo shtoi se kabineti vuri në dukje “vërejtjet nënçmuese të ambasadorit izraelit në Afrikën e Jugut për ata që po kundërshtojnë mizoritë dhe gjenocidin e qeverisë izraelite” dhe se departamenti i marrëdhënieve ndërkombëtare është udhëzuar që “të marrë masat e nevojshme brenda kanaleve diplomatike dhe protokollet për t’u marrë me sjelljen (e tij)”.
Protestuesit pro-palestinezë – të cilët kanë organizuar demonstrata nga Konsullata e SHBA-së në Johanesburg dhe ambasadat izraelite në Pretoria dhe Cape Town – i kanë bërë thirrje qeverisë së Afrikës së Jugut që të dëbojë ambasadorin izraelit.
Ministrja e marrëdhënieve ndërkombëtare Naledi Pandor, e cila të hënën priti homologun e saj ukrainas Dmytro Kuleba, tha se zyrtarët e Afrikës së Jugut do të tërhiqen nga Tel Avivi për t’i dhënë qeverisë një informim të detajuar rreth situatës në rajon.
“Ne duhet ta kemi këtë angazhim me zyrtarët tanë sepse jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për vrasjen e vazhdueshme të fëmijëve dhe civilëve të pafajshëm në territorin palestinez dhe ne besojmë se natyra e reagimit nga Izraeli është bërë një ndëshkim kolektiv”, tha Pandor.
Afrika e Jugut është ndër vendet e shumta që tërhoqën ambasadorët e tyre nga Izraeli, për të protestuar kundër operacioneve ushtarake në Gaza. Veprime të tilla deri më tani kanë ndërmarrë Kili, Kolumbia, Hondurasi, ndërsa Bolivia ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Izraeli kritikoi vendet e Amerikës Latine javën e kaluar dhe i bëri thirrje Kolumbisë dhe Kilit që të “dënojnë në mënyrë eksplicite organizatën terroriste Hamas”.



