Sekretari Blinken uron Kosovën për 16-vjetorin e pavarësisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar qytetarët e Kosovës në 16-vjetorin e pavarësisë.
Në mesazhin e urimit të sekretarit amerikan thuhet se SHBA-të vlerësojnë partneritetin e qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Kosovës për përvjetorin e gjashtëmbëdhjetë si shtet sovran dhe i pavarur.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin tonë të qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes njerëzve tanë. Ndërsa vazhdoni të bëni përparim në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike që avancon një rajon më të sigurt dhe më të begatë”, thuhet në urim.



