Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, opozitarët “barrikadojnë” foltoren

Deputetët e opozitës së Kuvendit të Shqipërisë kanë krijuar kaos pa nisur seanca e paraparë për të enjten. Raportohet se ka pasur përplasje mes ligjvënësve demokratë dhe punonjësve të Gardës të cilët kanë rrethuar ambientet e Parlamentit.
Nga pamjet e publikuara në rrjete sociale nga ish-kryeministri Sali Berisha, shihet se ligjvënësit demokratë kanë përmbysur karriget përpara foltores së Kuvendit.
Edhe në mbërritjen përpara parlamentit, Berisha paralajmëroi se këtë të enjte nuk do të ketë një seancë plenare normale në parlamentin e Shqipërisë.
“Parlamenti është vendosur nën shtetrrethim, është vendosur në shtetrrethim! Ky është si të ishte parlamenti i Koresë së Veriut, parlamenti i Bjellorusisë , parlamenti i vendeve diktatoriale. Është i rrethuar nga të gjitha anët nga forca të shumëllojta të cilat dëshmojnë frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga opozita e pathyeshme, nga opozita e cila po mbron Kushtetutën dhe për rrjedhojë interesat e çdo qytetari shqiptar”, ka thënë Berisha.
Seanca plenare përfundoi brenda 30 minutave, mes kaosit që krijuan në sallë deputetët e opozitës. Socialistët qëndruan në këmbë dhe votuan rendin e ditës, pasi karriget e tyre ishin të përmbysura në mes të sallës.
Për të penguar vazhdimin e seancës, deputeti Ervin Salianji hodhi gaz në ngjyrë blu dhe lejla, që u përhapën në të gjithë sallën. Nga tymi, nuk është ndjerë mirë as ish-kryeministri, i cili u largua nga karrigia e tij./ euronews



