E gjithë BDI-ja u mblodh në Sellcë për nisjen e punimeve të stërvonuara për shkollën e fshatit

Pas shumë zvarritjeve, punimet për ndërtimin e shkollës fillore komunale “Rilindja” në Sellcë të Tetovës filluan sot. Për të hedhur gurthemelin, BDI-ja tuboi shumë funksionarë në këtë fshat, duke filluar nga kryeministri, zëvendëskryeministri i parë, ministri i Arsimit dhe zëvendësi, drejtorë, kryetarë komune, funksionarë, deputetë dhe të tjerë. Nuk pati përfaqësues nga Komuna e Tetovës, thanë se nuk kanë pasur ftesë. Reagoi Lëvizja Besa, thonë se aktiviteti përdoret për zgjedhje. Ndërtimi i shkollës pritet të përfundojë në vitin 2025, shkruan Portalb.mk.

Banorët e Sellcës, objektin e ri të shkollës e presin me vite të tëra pasi objektet ekzistuese ku nxënësit ndjekin mësimin janë në kushte të këqija. Nëse punët shkojnë sipas parashikimeve, problemi i tyre pritet të zgjidhet vitin e ardhshëm.

Kryeministri Talat Xhaferi theksoi se fëmijët nuk do të mësojnë më në klasa të vjetra që janë ndërtuar në vitin 1954 dhe në kushte të këqija, por do e vijojnë mësimin në një shkollë bashkëkohore.

“Projekti do të kushtojë 100.000.000 denarë dhe pritet që ndërtimi të përfundojë gjatë vitit 2025”, tha Xhaferi.

Para se të hidhej gurthemeli, të pranishmit bënë edhe dua.

Ndërtimi i objektit të ri të shkollës së Sellcës është edhe pjesë e programit zgjedhor me të cilin garoi BDI-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare. Konkretisht në faqe 134 thuhet se “vlera do të jetë 1.153.000 euro ndërsa do të fillojë në vitin 2020 dhe do të përfundojë në vitin 2022”, por që kjo nuk u realizua në këtë afat.

Portalb.mk pyeti Xhaferin për këtë premtim, pse u vonua, a do përfundojë në kohë apo do të ketë fatin si shkolla fillore në Reçicë të Vogël dhe Konvikti i Tetovës për të cilët punimet u vonuan.

Xhaferi u përgjigj kështu:

“Nga sot e tutje i gjithë fati i këtij objekti varret nga punë kryerësi i cili duhet të respektojë dinamikën e kryerjes së punëve dhe gjithsesi duke pasur parasysh faktin se mjetet financiare janë të siguruara, dinamika e punës varen nga punë kryerësi. Ne si institucion e kemi për obligim të inspektojmë të mbikëqyrjen mbarëvajtjen e kryerjes së punëve. Unë jam i bindur se kjo do të kryhet në afatin e paraparë me kontratë”.
Hedhja e gurthemelit u premtua se do bëhej në vitin 2023, por kjo nuk ndodhi në vitin e kaluar.

Kritika për këtë shkollë ndaj pushtetit, konkretisht ndaj BDI-së kishin banorët e fshatit Sellcë, të cilët në fillim të vitit 2023 ripërsëritën kërkesën e tyre shumë vjeçare për shkollën ndaj funksionarëve të BDI-së në një tubim partiak po në këtë fshat. Madje ata thanë se nëse shkolla dhe kërkesa të tjera nuk realizohen deri në zgjedhjet e ardhshme, ata do t’i dënojnë me votë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button