Ministri i Jashtëm i Turqisë u bën thirrje vendeve myslimane të ndihmojnë në formësimin e rendit të ri ndërkombëtar

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, të shtunën u bëri thirrje vendeve myslimane të luajnë një rol aktiv në formësimin e rendit të ri ndërkombëtar, duke theksuar se solidariteti dhe bashkëpunimi më i madh janë thelbësorë për përcaktimin e së ardhmes së tyre.

“Zgjedhjet që bëjmë sot do të jenë vendimtare në përcaktimin e së ardhmes së botës myslimane”, tha Fidan në fjalimin e tij në hapjen e Forumit Al Sharq 2026 në Stamboll, ku Anadolu është partner global i komunikimit.

Duke vënë në dukje se forumi ka mbledhur rreth 2.000 mendje të ndritura nga më shumë se 50 vende, Fidan tha se ky takim përfaqëson një bashkim të mirëfilltë të botës myslimane.

Ai theksoi se sistemi ndërkombëtar po kalon një transformim të thellë, ndërsa konturet përfundimtare të tij janë ende objekt diskutimi.

“Qendra globale e gravitetit po zhvendoset. Në mbarë botën dhe në Lindje po shfaqen qendra të reja të ndikimit politik, dinamizmit ekonomik dhe inovacionit teknologjik”, tha ai.

Duke nënvizuar se bota myslimane, e cila përfaqëson më shumë se një të katërtën e popullsisë globale, qëndron në qendër të këtij transformimi, Fidan tha se vendet myslimane duhet të kontribuojnë në formësimin e sistemit të ri ndërkombëtar.

“Për dekada me radhë, fati ynë varej kryesisht nga vendimet e marra gjetkë. Nëse hezitojmë dhe qëndrojmë në vendnumëro, të tjerët do të vendosin për të ardhmen tonë”, tha ai.

“Përpara nesh qëndron një mundësi historike, jo vetëm për të formësuar rendin e ri ndërkombëtar, por edhe për të vendosur për fatin tonë”, shtoi kryediplomati turk.

Duke vënë në dukje se Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) përfaqëson 57 vende myslimane, Fidan tha se vendet myslimane kanë kapacitetin të kontribuojnë në ndërtimin e një bote ku mbizotëron drejtësia, nëse veprojnë në unitet dhe solidaritet.

Ai theksoi se ekuilibrat globalë të fuqisë po ndryshojnë, ndërsa institucionet ndërkombëtare po hasin vështirësi për t’iu përshtatur krizave gjithnjë e më komplekse.

“Krizat moderne nuk njohin më kufij”, tha ai, duke shtuar se edhe një krizë e vogël mund të shndërrohet në burim të madh destabiliteti në mbarë botën.

“Duhet të bashkojmë kapacitetet tona në rritje dhe të ndjekim politika të përbashkëta për të rritur sigurinë dhe mirëqenien tonë. Jemi në një pikë kthese historike, ku marrja e iniciativës nuk është çështje zgjedhjeje”, deklaroi Fidan.

Duke iu referuar konceptit të “asabijes”, ose solidaritetit shoqëror, të mendimtarit mysliman Ibn Haldun, Fidan theksoi rëndësinë e besimit, vlerave dhe trashëgimisë së përbashkët qytetëruese si themele për veprim kolektiv.

Ai bëri thirrje për kohezion më të madh në mbarë botën myslimane, me qëllim krijimin e një ndjenje të përbashkët qëllimi, sigurie kolektive dhe mirëqenieje të përbashkët.

Përgjegjësia rajonale, kyç për shndërrimin e solidaritetit në veprim

Fidan tha se përgjegjësia rajonale është mënyra më e sigurt për të forcuar solidaritetin dhe për ta shndërruar atë në veprime konkrete, duke theksuar se ata që përballen me pasojat e vendimeve duhet të marrin drejtimin në përcaktimin e tyre.

“Përgjegjësia rajonale nuk nënkupton izolim nga pjesa tjetër e botës. Përkundrazi, ajo ofron një bazë më të fortë për angazhimin me aktorët e tjerë ndërkombëtarë”, tha ai.

Nën udhëheqjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Turqia e ka bërë përgjegjësinë rajonale një nga shtyllat kryesore të politikës së saj të jashtme, tha Fidan.

“Duhet të marrim përgjegjësi për problemet tona. Duhet të veprojmë së bashku në rajonin tonë”, shtoi ai.

Duke përmendur Aleancën e Mekës për Mbrojtje të Përbashkët, të themeluar nga Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani, si shembull të përgjegjësisë rajonale, Fidan kujtoi se të premten mori pjesë në takimin e dytë të Komitetit Strategjik për Politikë dhe Mbrojtje të aleancës në Islamabad.

“Secili prej vendeve tona sjell kapacitete të veçanta dhe përvoja të vlefshme për të kapërcyer sfidat në rajonin tonë”, tha ai.

Fidan tha se aleanca pasqyron angazhimin për mbrojtje kolektive në shërbim të rajonit më të gjerë, duke shtuar se ajo do të bëhet më gjithëpërfshirëse përmes pjesëmarrjes së vendeve të tjera të rajonit, ndërsa rritet kapaciteti i saj institucional.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e Katërshes Rajonale (R4), një platformë konsultimi dhe bashkëpunimi mes Turqisë, Egjiptit, Pakistanit dhe Arabisë Saudite, duke e cilësuar atë si një mekanizëm për dialog të hapur dhe të orientuar drejt rezultateve, me synimin e zhvillimit të zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat komplekse rajonale.

“Këto nisma dëshmojnë se si përgjegjësia rajonale mund ta shndërrojë solidaritetin në bashkëpunim konkret dhe të qëndrueshëm”, tha ai.

Fidan gjithashtu bëri thirrje për zgjerimin e bashkëpunimit përtej sigurisë, duke përfshirë integrimin ekonomik, forcimin e marrëdhënieve tregtare, rritjen e ndërlidhjes dhe zhvillimin e kapaciteteve të përbashkëta në shkencë, teknologji dhe inovacion.

“Palestina mbetet busulla jonë kryesore morale”

Duke theksuar se vetëm stabiliteti nuk mjafton, Fidan bëri thirrje për ndërtimin e një sistemi ndërkombëtar më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues.

“Synimi ynë nuk duhet të jetë thjesht fitimi i ndikimit më të madh brenda sistemit ekzistues, por edhe arritja e një sistemi më gjithëpërfshirës dhe përfaqësues, të mbështetur në drejtësi dhe legjitimitet”, tha ai.

Ministri i Jashtëm turk i bëri thirrje botës myslimane të flasë me një zë të përbashkët dhe të japë shembull në çështjet që prekin thellësisht ndërgjegjen kolektive të njerëzimit.

“Për ne, për shembull, Palestina mbetet busulla jonë kryesore morale. Ne qëndruam kundër gjenocidit në Gaza dhe terrorizmit të kolonëve në Bregun Perëndimor”, tha ai.

“Duhet të udhëheqim përpjekjet për dërgimin e ndihmave humanitare, rindërtimin e Gazës dhe mbrojtjen e çështjes palestineze derisa të mbizotërojnë liria dhe drejtësia”, theksoi ai.

Fidan përsëriti angazhimin e Turqisë për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme përmes zgjidhjes me dy shtete, që përfshin krijimin e një shteti të pavarur palestinez me Kudsin Lindor si kryeqytet.

“Ne po punojmë pa u lodhur sot dhe nuk do të heqim dorë kurrë derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”, shtoi ai.

Fidan u bën thirrje brezave të rinj t’u prijnë formave të reja të bashkëpunimit

Duke pranuar se vendet myslimane mund të kenë këndvështrime të ndryshme për çështje të caktuara, Fidan theksoi se ato nuk duhet t’i humbin kurrë nga vëmendja lidhjet e forta mes shoqërive të tyre.

Duke iu drejtuar brezave të rinj, ai u bëri thirrje të forcojnë bashkëpunimin funksional dhe të orientuar drejt së ardhmes, t’i shndërrojnë vlerat e përbashkëta në veprime konkrete dhe ta institucionalizojnë besimin.

“Kontributi dhe përkushtimi juaj janë jetikë për të ardhmen e botës myslimane”, tha ai.

Fidan vuri në dukje se brezat e rinj kanë qasje të paprecedentë në njohuri, teknologji dhe rrjete që kapërcejnë kufijtë kombëtarë, duke i nxitur t’i shfrytëzojnë këto mundësi për të krijuar lidhje të qëndrueshme mes shoqërive.

“Askush nuk është më superior se një tjetër për shkak të racës apo identitetit të tij. Besimi ynë na urdhëron të mbrojmë drejtësinë, integritetin dhe dinjitetin njerëzor. Të gjithë gjykohemi nga veprimet tona”, tha ai.

Duke theksuar se e ardhmja që brezat e rinj do të trashëgojnë është gjithashtu e ardhmja që ata duhet ta ndërtojnë, Fidan i inkurajoi ata të shikojnë përtej formave tradicionale të bashkëpunimit dhe të tregojnë guxim për të ndjekur mënyra të reja të bashkimit të vendeve myslimane.

Ai e përfundoi fjalimin duke u bërë thirrje brezave të rinj të ndihmojnë botën myslimane të zërë vendin që i takon në formësimin e botës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button