Durmishi: Pikat e përbashkëta kufitare me Shqipërinë dhe Kosovën lehtësojnë kalimin e qytetarëve dhe tregtinë, shumë shpejt në katër pika kufitare

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, ka folur për rëndësinë e pikës së përbashkët kufitare dhe doganore me Shqipërinë, e cila u përurua të dielën.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve të ORA NEWS, Durmishi theksoi se pika kufitare me sistemin “One Stop Shop”, apo “Hyrje-Hyrje”, u përurua në një ditë tepër të veçantë për shqiptarët, më 22 nëntor, Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe.
“Marrëveshja në fjalë u mundëson të gjithë qytetarëve, të gjithë shqiptarëve, që ta kalojnë kufirin më lehtë, pasi do të kenë vetëm një pikë ndalese, të vizitojnë familjet e tyre, të shkojnë për ndonjë punë private, dhe, ajo që është më e rëndësishme, bizneset do ta kenë shumë më të lehtë shkëmbimin e mallrave, sepse shkurtohen procedurat”, deklaroi Durmishi.
Ai kujtoi se një marrëveshje e tillë është realizuar edhe me Kosovën që në fillim të mandatit, në vitin 2024, ndërsa tani është realizuar edhe me Shqipërinë.
Sipas tij, shumë shpejt do të funksionojnë katër pika kufitare me sistemin “One Stop Shop”, për të pasur ndërlidhje sa më të mirë.
“Ky është një fitim i madh për ekonominë e vendit tonë, por edhe për ekonominë e Shqipërisë”, tha ministri Durmishi.


