Kryediplomati turk: Takimi Trump-Xi-Putin “jashtëzakonisht i rëndësishëm”, por nuk duhet krahasuar me Jaltën

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, deklaroi të shtunën se samiti i parë trepalësh mes liderëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë ishte “jashtëzakonisht i rëndësishëm” për të parandaluar përkeqësimin e krizave globale, ndërsa hodhi poshtë krahasimet me Konferencën e Jaltës të pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton Anadolu.
Në një intervistë të drejtpërdrejtë televizive, Fidan iu përgjigj pyetjeve lidhur me zhvillimet ndërkombëtare, marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në, luftën në Gaza, situatën në Jemen dhe bashkëpunimet rajonale.
Duke komentuar takimin trepalësh mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit kinez Xi Jinping dhe presidentit rus Vladimir Putin në Kinë, Fidan e cilësoi të rëndësishëm faktin që liderët e këtyre tri fuqive janë ulur për të diskutuar çështjet ndërkombëtare.
Ai tha se sistemi ndërkombëtar po ndryshon vazhdimisht, ndërsa faktorët ekonomikë, politikë, teknologjikë dhe shoqërorë po marrin forma të reja.
Sipas tij, sistemi hegjemonik i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore nuk i përgjigjet më realitetit të sotëm ndërkombëtar.
Fidan tha se administrata e Trumpit po rishikon strategjinë globale të SHBA-së dhe rolin që vendi ka luajtur që nga Lufta e Dytë Botërore, duke përfshirë edhe marrëdhëniet me aleatët.
Ai theksoi se takimi mes tri fuqive është i rëndësishëm edhe nëse nuk sjell zgjidhje të drejtpërdrejta për krizat ekzistuese, pasi mund të parandalojë përshkallëzimin e mëtejshëm të tyre.
“Edhe nëse problemet nuk zgjidhen, është jashtëzakonisht e rëndësishme që këto fuqi, këto vende me armë bërthamore, të takohen, të diskutojnë çështje të caktuara, të negociojnë dhe të shihen sy më sy”, tha Fidan.
Ai shtoi se nuk pret ndonjë nismë shumë të avancuar nga ky takim, ndërsa hodhi poshtë si të ekzagjeruar krahasimin e tij me Konferencën e Jaltës.
– Përpjekjet për marrëveshje SHBA-Iran
Duke folur për përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje mes Washingtonit dhe Teheranit, Fidan tha se Turqia po bën gjithçka që mundet për të kontribuuar në këtë proces.
“Shpresojmë që përpjekjet të kenë sukses. Edhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi. Një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit është e rëndësishme jo vetëm për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, por edhe për zbutjen e krizave financiare globale”, tha ai.
Duke theksuar vështirësitë ekonomike me të cilat po përballen shumë vende, Fidan tha se barra ekonomike që sjell lufta dhe mungesa e një zgjidhjeje po bëhet çdo ditë e më e rëndë dhe se situata po shkon drejt pasojave shumë shkatërruese.
Ministri turk tha se kanë diskutuar për këtë çështje edhe me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ndërsa shtoi se përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje vazhdojnë.
– Fidan: Aktorët që ndihmojnë gjenocidin në Gaza do të paguajnë çmim politik
Duke folur për ndikimin e luftës në Gaza në politikën amerikane dhe atë izraelite, Fidan tha se politikat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kanë ndikuar edhe në zhvillimet politike në të dyja vendet.
Ai theksoi se një pjesë e së djathtës amerikane po kritikon politikat e Lindjes së Mesme që nuk vendosin interesat e SHBA-së në qendër, duke përmendur edhe kundërshtimin ndaj luftërave dhe gjenocidit në Gaza.
Sipas Fidanit, kur SHBA-ja përfshihet në një luftë në interes të një vendi tjetër, atëherë vihet në pikëpyetje parimi i saj për mbrojtjen e interesave kombëtare.
“Amerika e para apo Izraeli i pari?”, tha ai, duke iu referuar debatit në politikën amerikane.
Fidan theksoi se politikat izraelite kanë bërë që shumë aktorë të përfshirë në to të përballen me pasoja politike.
“Shohim se çdo aktor që ka marrë pjesë ose ka ndihmuar drejtpërdrejt apo tërthorazi në këtë gjenocid do të paguajë një çmim politik ose një lloj tjetër çmimi dhe do të vazhdojë ta paguajë”, tha Fidan.
– Fidan: Qëndrimi ynë në rajon nuk i pëlqen Izraelit
Duke folur për marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, Fidan tha se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij amerikan Donald Trump kanë një marrëdhënie të rëndësishme në nivelin e diplomacisë së liderëve, përmes së cilës janë trajtuar dhe zgjidhur disa çështje dypalëshe.
Ai përmendi gjithashtu çështjet që lidhen me tërheqjen e SHBA-së nga Siria dhe Iraku, stabilitetin në Siri, sigurinë dhe integritetin territorial të Irakut, si dhe zhvillimet në Kaukaz, luftën Rusi-Ukrainë dhe Bririn e Afrikës.
Lidhur me bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, Fidan tha se disa pengesa administrative për blerjen e pajisjeve dhe municioneve janë hequr, por se administrata amerikane ka kompetenca të kufizuara për ndryshimin e çështjeve të përcaktuara me ligj.
Ai pretendoi se disa rrjete lobimi në SHBA po ndikojnë në këtë proces.
“Qëndrimi, vullneti, parimet dhe vlerat që Turqia mbron në rajonin e saj nuk janë diçka që u pëlqen disa fuqive kryesore, veçanërisht Izraelit. Izraeli po zhvillon lobim shumë serioz në SHBA. Kjo është shndërruar disi në një luftë lobimi”, tha Fidan.
Ai përmendi lobet izraelite dhe greke, duke thënë se ato ndikojnë në politikën lokale amerikane dhe zhvillojnë aktivitete për të ndikuar në vendimmarrjen në Washington.
– Fidan: Turqia po përdor ndikimin e saj për paqen dhe stabilitetin rajonal
Ai theksoi se konceptet e politikës së jashtme të Turqisë, si përgjegjësia rajonale dhe zgjidhja e problemeve nga vetë vendet e rajonit, po përdoren gjithnjë e më shumë edhe në rajone të tjera, përfshirë nga liderët evropianë.
Ai theksoi se, pavarësisht sfidave të mëdha, Turqia deri më tani ka arritur të mos lejojë që krizat jetike në rajon dhe në botë të pasqyrohen në vend, duke luajtur një rol më proaktiv, dhe se do të vazhdojë këtë qasje.
“Fakti që Turqia e përdor vazhdimisht fuqinë dhe ndikimin që ka për të vendosur paqen, stabilitetin dhe mirëqenien, e bën atë një aktor për të cilin ka vazhdimisht kërkesë”, tha ai.
– Aleanca e Mekës: Turqia mbështet mbrojtjen e Arabisë Saudite
Duke folur për Aleancën e Mbrojtjes të Mekës, një pakt i mbrojtjes së përbashkët i nënshkruar midis Turqisë, Arabisë Saudite dhe Pakistanit, Fidan tha se procesi i institucionalizimit të saj po vazhdon dhe se janë marrë vendimet kryesore për krijimin e mekanizmave të nevojshëm, përfshirë shtabin ushtarak dhe sekretariatin.
Ai theksoi se një nga shtyllat kryesore të aleancës do të jetë bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes.
Lidhur me situatën në Jemen dhe mundësinë e përfshirjes ushtarake të Turqisë, Fidan tha se nuk ka vendim për vendosjen e trupave turke në këtë vend.
“Politika jonë aktuale ka të bëjë me mbrojtjen e Arabisë Saudite. Nuk ka asnjë vendim për vendosjen e trupave ushtarake brenda Jemenit. Megjithatë, Arabisë Saudite po i ofrohet mbështetja e nevojshme për mbrojtjen e saj”, tha ai.
Fidan shpjegoi se bashkëpunimi në kuadër të aleancës nuk nënkupton automatikisht pjesëmarrjen e Turqisë në operacione ushtarake dhe se për çdo dërgim trupash jashtë vendit nevojitet vendim i parlamentit turk.
Ai përmendi gjithashtu bashkëpunimin e Turqisë me Arabinë Saudite dhe Pakistanin në industrinë e mbrojtjes, duke theksuar se vendimi për ndarjen e kapaciteteve dhe teknologjive ushtarake me vende të tjera është një zgjedhje strategjike.
Duke komentuar kritikat për mundësinë e përfshirjes së Turqisë në një konflikt në Jemen, Fidan tha se Turqia është një popull që e njeh luftën.
“Ne tashmë jemi një popull që e di se çfarë është lufta. Me sa duket, lufta është puna jonë. Kemi luftuar shumë. Zoti na ruajt nga lufta, por kur vjen puna te luftimi, do të gjejmë përgjigjen në një fushë që e njohim mirë. Mos u shqetësoni”, tha ai.
– Turqia propozon mekanizma të rinj për zgjidhjen e krizave rajonale
Fidan tha se Turqia po punon për krijimin e mekanizmave të rinj të bashkëpunimit rajonal për zgjidhjen e krizave.
Ai theksoi se problemet e rajonit nuk duhet t’u lihen vetëm fuqive hegjemoniste, por duhet të trajtohen nga vetë vendet e rajonit.
Duke folur për formatin R4+E4, i cili bashkon përfaqësues të vendeve të rajonit dhe Evropës, Fidan njoftoi se takimi i dytë në këtë format do të mbahet muajin e ardhshëm në Berlin.
Sipas tij, ky mekanizëm mundëson diskutime të hapura dhe të drejtpërdrejta jashtë proceseve formale të negociatave diplomatike.
Fidan tha gjithashtu se Turqia ka propozuar një deklaratë ndërkombëtare për mbrojtjen e rrugëve kryesore të tregtisë detare, përfshirë Ngushticën e Hormuzit, Ngushticat e Stambollit, Gjibraltarin, Malakën dhe Kanalin e Panamasë, në mënyrë që këto pika të mos mbyllen për trafikun tregtar, pavarësisht luftërave dhe zhvillimeve ndërkombëtare.
– Fidan: Nuk do të lejojmë që çështja e Gazës të harrohet
Duke folur për situatën humanitare në Gaza, Fidan tha se kriza është përkeqësuar edhe më shumë pas përmbytjeve të fundit, stuhive dhe temperaturave të ulëta.
Ai tha se, megjithëse disa dispozita të marrëveshjes së paqes kanë filluar të zbatohen dhe faza aktive e gjenocidit është ndalur, sulmet izraelite dhe vrasjet e synuara vazhdojnë.
Fidan theksoi se ndihmat ushqimore po hyjnë në Gaza, por në sasi të pamjaftueshme dhe se ushqimi nuk është e vetmja nevojë e popullsisë.
Ai tha se banorët kanë nevojë urgjente për strehim, ndërsa Turqia po përpiqet të dërgojë kontejnerë të përdorur pas tërmetit në vend, me udhëzimin e presidentit Erdogan dhe përmes Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Gjysmëhënës së Kuqe turke dhe diplomatëve.
Sipas tij, Izraeli nuk lejon hyrjen e kontejnerëve metalikë, me arsyetimin se Hamasi mund t’i përdorë për prodhimin e armëve.
Fidan tha se kufizimet izraelite ndaj materialeve të ndërtimit, përfshirë betonin, hekurin dhe çelikun, po pengojnë riparimin e banesave dhe ndërtimin e strehimoreve të reja, duke i detyruar palestinezët të vazhdojnë të jetojnë në tenda prej pëlhure.
Ai shtoi se nuk pret që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu t’i lehtësojë këto kufizime para përfundimit të procesit paszgjedhor, por shprehu pritjen se pas tij mund të ketë zhvillime të reja lidhur me ndihmat humanitare dhe rindërtimin e Gazës.
Fidan theksoi se krizat në Iran, SHBA dhe Gjirin Persik kanë bërë që disa vende që kanë luajtur rol diplomatik për Gazën, si Arabia Saudite, Jordania, Katari dhe Egjipti, të përqendrohen edhe në problemet e tyre.
Megjithatë, ai tha se Turqia do të vazhdojë ta mbajë çështjen e Gazës në agjendën ndërkombëtare.
“Çështja e Gazës është diçka që nuk e kemi lejuar dhe nuk do ta lejojmë të harrohet, në çdo fjalim, në çdo nismë dhe në çdo platformë, kudo që të jemi”, tha Fidan.



