Kryediplomati turk do të marrë pjesë në takimin e BE-së për sigurinë rajonale dhe ndërlidhjen në Bruksel

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, të hënën do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në Takimin e Dytë Ministror për Sigurinë dhe Ndërlidhjen Ndërrajonale, i cili mbahet në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, raporton Anadolu.
Sipas burimeve diplomatike, në takim pritet të marrin pjesë Fidan, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, kryediplomatët e vendeve anëtare të BE-së, si dhe përfaqësues nga Azerbajxhani, Armenia, Moldavia, Ukraina, Kazakistani, Kirgistani, Uzbekistani, Taxhikistani dhe Turkmenistani.
Pritet që të trajtohen gjithashtu çështje politike që lidhen me ndërlidhjen rajonale.
Fidan pritet të shprehë gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në projektet e ndërlidhjes rajonale dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në këtë fushë, duke shfrytëzuar përparësitë e pozicionit të saj gjeostrategjik.
Ai gjithashtu pritet të theksojë nevojën për rivlerësimin e marrëdhënieve Turqi-BE mbi një bazë realiste dhe të orientuar drejt rezultateve, që mund të sjellë përparim konkret përballë sfidave globale gjithnjë e më të ndërlidhura.
Ai do të theksojë ndërlidhjen rajonale si një fushë të mundshme për bashkëpunim konstruktiv mes Turqisë dhe BE-së, duke nënvizuar rëndësinë e rifillimit të takimeve të dialogut të nivelit të lartë për transportin dhe energjinë.
Kryediplomati turk pritet gjithashtu të trajtojë mundësitë që ofrojnë nismat e mëdha të ndërlidhjes, përfshirë Korridorin e Mesëm, Rrugën e Zhvillimit, Nismën e Tre Deteve dhe Global Gateway, për lehtësimin e tregtisë globale dhe integrimit ekonomik.
Ai gjithashtu pritet të riafirmojë qëndrimin e Turqisë se rrugët e ndryshme të ndërlidhjes duhet të shihen si projekte plotësuese dhe jo konkurruese, duke kontribuar në prosperitetin global.
Siguria në Detin e Zi, çështje kryesore
Gjatë sesionit të dytë të takimit, “Avancimi i angazhimeve të sigurisë për rajonin e Detit të Zi”, pjesëmarrësit pritet të diskutojnë rëndësinë strategjike të Detit të Zi, situatën e sigurisë në rajon, tregtinë e drithërave, transportin detar, kërcënimet hibride dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Sesioni do të përqendrohet gjithashtu në masat që synojnë forcimin e stabilitetit rajonal.
Fidan pritet të ndajë vlerësimin e Turqisë për luftën në vazhdim në Ukrainë dhe pasojat e saj për sigurinë në Detin e Zi, duke theksuar rëndësinë e përgjegjësisë dhe përfshirjes së vetë vendeve të rajonit në ruajtjen e stabilitetit.
Ai gjithashtu pritet të theksojë rolin thelbësor të Konventës së Montreux-it për Ngushticat Turke në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Fidan pritet të kërkojë që bashkëpunimi Turqi-BE të mos reduktohet në një qasje të bazuar në kushtëzime, duke argumentuar se marrëdhëniet duhet të zhvillohen mbi bazën e interesave të përbashkëta dhe partneritetit të barabartë.
Fidan pritet gjithashtu të theksojë se suksesi i nismave të reja lidhur me Detin e Zi do të varet nga konsultimet dhe koordinimi i ngushtë me Turqinë gjatë gjithë procesit të zhvillimit dhe zbatimit të tyre.
Ai pritet të paralajmërojë kundër krijimit të strukturave që mbivendosen me njëra-tjetrën, duke theksuar se çdo marrëveshje e re e sigurisë për Detin e Zi duhet të plotësojë mekanizmat ekzistues dypalësh dhe shumëpalësh, të zhvilluar mbi bazën e përgjegjësisë rajonale.
Fidan pritet gjithashtu të zhvillojë takime dypalëshe në margjinat e këtij takimi.
Ministri turk mori pjesë më parë në takimin e parë ministror për Sigurinë, Stabilitetin dhe Rezistencën në Detin e Zi dhe Ndërlidhjen Ndërrajonale, i cili u mbajt në Luksemburg në tetor të vitit 2025, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, me pjesëmarrjen e vendeve të Kaukazit dhe Azisë Qendrore.



