Gjykata izraelite refuzon lirimin e 14 mjekëve nga Gaza të mbajtur pa aktakuzë dhe pa gjyq

Gjykatat izraelite kanë rrëzuar kërkesat për lirimin e 14 mjekëve palestinezë nga Rripi i Gazës, të cilët mbahen pa aktakuzë dhe pa gjyq, njoftoi të mërkurën një organizatë izraelite për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu.

Organizata “Physicians for Human Rights Israel” bëri të ditur se janë rrëzuar dy kërkesa që lidhen me mjekët palestinezë të ndaluar nga Gaza.

“Gjykata Supreme refuzoi lirimin e 14 mjekëve, përfshirë drejtorë spitalesh dhe mjekë specialistë”, thuhet në deklaratën e organizatës.

Ajo shtoi se Gjykata e Qarkut në Lod refuzoi gjithashtu kërkesën që dr. Hussam Abu Safiya, drejtor i Spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës, t’i nënshtrohej një ekzaminimi të pavarur mjekësor dhe të merrte një mendim të dytë mjekësor, pavarësisht “treguesve shqetësues në dosjen e tij mjekësore”.

“14 mjekët po mbahen në burgjet izraelite pa u akuzuar dhe pa u nxjerrë para gjyqit”, deklaroi organizata.

Sipas saj, disa prej tyre mbahen në burg prej më shumë se dy vitesh, ndërkohë që sistemi shëndetësor në Gaza po përballet me mungesë të theksuar të personelit mjekësor.

Sektori shëndetësor i Gazës është shkatërruar në masë të madhe gjatë gjenocidit izraelit në enklavë, që nga tetori i vitit 2023, ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së përgjithshme është dëmtuar ose shkatërruar.

Abu Safiya u arrestua nga ushtria izraelite më 27 dhjetor 2024, gjatë një bastisjeje në Spitalin Kamal Adwan në veri të Gazës.

Izraeli po e mban atë pa aktakuzë dhe pa gjyq, në bazë të të ashtuquajturit “Ligji për Luftëtarët e Paligjshëm”, i cili lejon mbajtjen e personave në paraburgim për periudha të zgjatura, duke u bazuar në dosje informative dhe prova të klasifikuara, sipas organizatës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button