Gjendet drogë në automjet, privohet nga liria 49-vjeçar nga Draçeva e Shkupit

Një 49-vjeçar nga Shkupi është arrestuar në orët e para të së mërkurës në zonën e Draçevës, pasi policia gjatë kontrollit të automjetit të tij ka gjetur dhe sekuestruar lëndë të dyshuara narkotike dhe pajisje të tjera.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ngjarja ka ndodhur më 11 nëntor, rreth orës 02:25, në rrugën “Taki Daskallot”, ku nëpunësit policorë të SPB Shkup kanë ndaluar H.M., 49 vjeç, i cili drejtonte një automjet të tipit “Renault” me targa të Shkupit.
Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar një substancë pluhurore e bardhë, tableta, marihuanë dhe një peshore.
I dyshuari është ndaluar në stacionin policor. Nga MPB bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.



