Hoxha në tryezën rajonale për pyjet në Strugë: Mbrojtja e pyjeve dhe bashkëpunimi ndërkufitar janë përgjegjësi e përbashkët

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, mori pjesë dhe mbajti fjalim përshëndetës në tryezën rajonale të ekspertëve “Menaxhimi i integruar i pyjeve në Ballkanin Perëndimor: Mësimet e nxjerra, sfidat dhe drejtimet për të ardhmen”, e organizuar në Strugë nga CNVP dhe ICEP, me mbështetjen financiare të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA).

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, ekspertë të pylltarisë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, institucioneve shkencore dhe komuniteteve lokale, për të diskutuar sfidat e përbashkëta në menaxhimin e pyjeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Në fjalën e tij, zëvendësministri Hoxha theksoi rëndësinë e qasjes së përbashkët në mbrojtjen e ekosistemeve pyjore, veçanërisht në rajone ndërkufitare si pellgu i lumit Drin.

“Nuk është rastësi që për këtë diskutim jemi mbledhur pikërisht në Strugë, aty ku Drini i Zi nis rrugëtimin e tij nga Liqeni i Ohrit. Drini na kujton se natyra nuk njeh kufij. Pyjet, ujërat dhe ekosistemet tona janë të ndërlidhura, prandaj edhe përgjegjësia për mbrojtjen e tyre duhet të jetë e përbashkët”, theksoi Hoxha.

Duke folur për prioritetet e Ministrisë, ai nënvizoi angazhimin për modernizimin e sektorit të pylltarisë, digjitalizimin dhe përmirësimin e sistemeve të monitorimit, avancimin e kuadrit ligjor në përputhje me standardet evropiane dhe forcimin e masave për parandalimin e zjarreve pyjore.

Në këtë drejtim, Ministria po punon edhe për përgatitjen e vizionit strategjik për zhvillimin e sektorit pyjor për dy dekadat e ardhshme, me synim përmirësimin e administrimit të burimeve pyjore, mbrojtjen e biodiversitetit dhe rritjen e aftësisë për t’u përballur me pasojat e ndryshimeve klimatike.

Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua rezultateve dhe përvojave të projektit katërvjeçar “Menaxhimi i integruar i pyjeve përgjatë pellgut të lumit Drin”, i zbatuar nga CNVP në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi, në partneritet me ICEP dhe me mbështetjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim.

Projekti është përqendruar në përmirësimin e menaxhimit të pyjeve, ripërtëritjen e ekosistemeve pyjore, ruajtjen e biodiversitetit, përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe krijimin e mundësive ekonomike për komunitetet rurale.

Në kuadër të tryezës u trajtuan përvojat e fituara gjatë zbatimit të projektit, sfidat institucionale dhe praktike në sektorin e pylltarisë, si dhe mundësitë për iniciativa të reja të përbashkëta. Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të komuniteteve lokale, pronarëve dhe përdoruesve të pyjeve, institucioneve publike dhe sektorit privat në mbrojtjen dhe administrimin e burimeve natyrore.

“Përfundimi i një projekti nuk duhet të nënkuptojë përfundimin e bashkëpunimit. Përvojat dhe partneritetet e krijuara gjatë këtyre katër viteve duhet të shërbejnë si bazë për iniciativa të reja dhe rezultate konkrete në terren”, u shpreh zëvendësministri Hoxha.

Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësuesi i Agjencisë Austriake për Zhvillim, David Muckenhuber, drejtori i CNVP-së në Maqedoninë e Veriut, Nehat Ramadani, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zëvendësministrja e Mjedisit e Shqipërisë, Elda Gjumari, përfaqësuesja e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave të Malit të Zi, Bojana Malidžan, si dhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Besim Zogu.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave mbetet e përkushtuar ndaj modernizimit të sektorit pyjor, mbrojtjes afatgjatë të pyjeve dhe forcimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button