Kurti kërkon mbështetjen e Francës për integrimin e Kosovës në BE dhe NATO

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është pritur në Paris nga presidenti i Senatit të Francës, Gerard Larcher, transmeton Anadolu.
Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti i ka shprehur mirënjohjen Larcher për rolin e Republikës së Francës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës si dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e Kosovës.
“Biseduam për stabilitetin e plotë institucional e politik pas zgjedhjes së presidentes, planet e Qeverisë në këtë mandat të ri, të përqendruara në infrastrukturën hekurudhore e atë sportive, ndërtimin e digave dhe industrinë e mbrojtjes, por edhe mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe”, tha kryeministri Kurti.
Krahas angazhimit për reforma posaçërisht në drejtësi, arsim e administratë publike, Kurti dhe Larcher folën edhe për përparimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Republika e Kosovës është tërësisht e linjëzuar me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, andaj statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim, përveçqë vendime të drejta, do të ishin shtysë për përparim të gjithmbarshëm”, tha Kurti.
Ai shtoi se roli mbështetës i Francës për avancimin e Republikës së Kosovës në këtë proces është i rëndësishëm, sikurse në atë të anëtarësimit në NATO, që do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës.



