(VIDEO) Mbi 50 automjete përfshihen në aksidente zinxhir në autostradën “Trakia” në Bullgari

Aksidente të rënda zinxhir, ku janë përfshirë më shumë se 50 vetura dhe kamionë, kanë bllokuar mëngjesin e sotëm autostradën “Trakia” në Bullgari, pranë qytetit Jamboll. Aksidentet kanë ndodhur në kushte të mjegullës së dendur dhe dukshmërisë së reduktuar ndjeshëm.

Sipas mediave bullgare, përplasja e parë është raportuar pak pas orës 07:00, në kilometrin e 289-të të autostradës, në drejtim të Burgasit. Menjëherë pas kësaj janë regjistruar edhe disa përplasje të tjera, përfshirë edhe në korsinë e drejtimit të kundërt. Në aksidente janë përfshirë vetura, kamionë dhe autobusë.

Shtatë persona të lënduar janë dërguar në spitalin e Jambollit. Sipas zëvendësdrejtorit të spitalit, ata ndodhen në gjendje të rëndë dhe kanë pësuar lëndime të shumta. Ekipet mjekësore janë mobilizuar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme.

Policia ende nuk ka konfirmuar nëse ka persona të vdekur. Në vendngjarje kanë dalë ekipet e policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës mjekësore.

Për shkak të aksidenteve, qarkullimi në autostradën “Trakia” është ndërprerë në të dy drejtimet, në segmentin ndërmjet nyjeve rrugore Zimnica dhe Kabile. Është aktivizuar edhe sistemi i paralajmërimit emergjent BG-Alert, përmes të cilit drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje të përdorin rrugët alternative.

Trafiku po devijohet përmes Karnobatit, Petollçkës, Sllivenit dhe Krushares. Autoritetet po kryejnë hetimet në vendngjarje dhe po punojnë për largimin e automjeteve të përfshira në aksidente.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button