Gjenden të vdekur 21 emigrantë ndërsa 233 të tjerë shpëtohen në ujërat pranë Kretës në Greqi
Ekipet e shpëtimit kanë kryer tri operacione të veçanta pranë bregut jugor të ishullit grek.

Njëzet e një emigrantë janë gjetur të vdekur dhe gjithsej 233 të tjerë janë shpëtuar në tri operacione të ndara në brigjet jugore të Kretës, njoftuan të hënën autoritetet greke, transmeton Anadolu.
Sipas transmetuesit ERT, në mesin e 21 viktimave ishte një person trupi i të cilit u gjet fillimisht në një varkë me 28 të mbijetuar, shtatë trupa të tjerë që u gjetën më vonë në të njëjtën varkë, si dhe 12 persona të tjerë të vdekur në një incident tjetër.
Në incidentin më vdekjeprurës, një anije kontejnerësh me flamur maroken vërejti një varkë me emigrantë rreth 15 milje detare (28 kilometra) në juglindje të fshatit Kali Limenes në Kretë.
Një anije e Rojës Bregdetare greke mbërriti me shpejtësi në vendngjarje, ku shpëtoi 18 persona dhe nxori trupat e 12 viktimave.
Në dy incidente të tjera të ndara, u pikasën varka që transportonin përkatësisht 47 dhe 40 emigrantë, rreth 30 dhe 31 milje detare (56 dhe 57 kilometra) në jug të fshatit.
Në lokalizimin e varkave ndihmuan edhe mjetet ajrore të Frontex-it, përfshirë avionë me pilot dhe pa pilot.
Dy shtetas sudanezë, të cilët nga personat e tjerë u identifikuan si trafikantë, u arrestuan. Ndaj tyre u ngritën akuza për hyrje të paligjshme në vend, lehtësim të hyrjes së paligjshme, formim të grupit kriminal dhe ekspozim ndaj rrezikut me pasojë vdekjen.



