(VIDEO) Qytetarët presin në radhë para Alta Bankës në Manastir për të tërhequr para

Qytetarë janë duke pritur sot në radhë për të tërhequr paratë para degës kryesore të Alta Bankës në Manastir. Pamjet e filmuara këtë mëngjes nga ekipi i 4news.mk tregojnë njerëz të mbledhur para hyrjes dhe në shkallët e bankës, disa prej tyre me çadra.
Kjo situatë vjen pasi Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës Alta Bankës SHA Beograd, për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të gjendjes financiare dhe rrezikimit të interesave të depozituesve. Vendimi ka të bëjë me bankën në Serbi.
Ndërkohë, nga Alta Banka SHA Manastir sot njoftuan se banka është likuide dhe vazhdon të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe pa ndërprerje.
Në njoftim thuhet se banka është person juridik i pavarur, e regjistruar në Maqedoninë e Veriut, që operon sipas legjislacionit vendor dhe është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Popullore.
Sipas bankës, degët dhe bankomatet funksionojnë sipas orarit dhe mënyrës së zakonshme, ndërsa klientët kanë qasje të papenguar në mjetet e tyre financiare.
Deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për vonesa apo kufizime në tërheqjen e parave në degën e Manastirit.



