Turqia propozon kreun e OSBE-së, Sinirlioglu, si kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm OKB-së

Turqia ka nominuar zyrtarisht të premten Feridun Sinirlioglun, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si kandidat për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, thanë burime nga Ministria e Jashtme turke, transmeton Anadolu.
Ky veprim vjen pas bllokimit të procesit të përzgjedhjes, pasi raundi i fundit joformal i votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i mbajtur të premten, përfundoi pa një rezultat përfundimtar, thanë burimet.
Në një letër të ditës së premte drejtuar kryetarëve të Asamblesë së Përgjithshme dhe Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesi i Turqisë në OKB, Ahmet Yildiz, përcolli letrën e nominimit të presidentit Recep Tayyip Erdogan, në përputhje me Kartën e OKB-së dhe një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme.
Një kandidat duhet të marrë të paktën nëntë vota në Këshillin e Sigurimit për të siguruar mbështetjen e nevojshme, ndërsa secili prej pesë anëtarëve të përhershëm – SHBA-ja, Kina, Franca, Rusia dhe Britania – mund ta bllokojë një kandidat përmes vetos.
Kandidati përfundimtar duhet të emërohet nga Asambleja e Përgjithshme, ndërsa ky hap përgjithësisht konsiderohet formalitet pasi Këshilli i Sigurimit të ketë arritur një marrëveshje.
Mandati i sekretarit aktual të përgjithshëm, Antonio Guterres, përfundon më 31 dhjetor.
Deri më tani janë nominuar tetë kandidatë: diplomatja nga Kosta Rika, Rebeca Grynspan; drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike, argjentinasi Rafael Grossi; ish-presidenti i Senegalit, Macky Sall; ambasadorja e Guajanës në OKB, Carolyn Rodrigues Birkett; ish-presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Maria Fernanda Espinosa nga Ekuadori; ish-presidentja e Kilit, Michelle Bachelet; politikani dhe diplomati ugandez, Olara Otunnu; si dhe diplomatja ekuadoriane, Ivonne A-Baki.



