Presidentja Shiroka Pula mesazh shqiptarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, u është drejtuar me një mesazh shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë, duke u bërë thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 25 tetorit 2026 në Serbi, transmeton Anadolu.
Shiroka Pula, nëpërmjet një mesazhi për shqiptarët nga komuna e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët jetojnë në Kosovë, u ka bërë thirrje ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike të votës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve.
“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë. Për një zë më të fuqishëm në mbrojtje të të drejtave, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve”, theksoi Shiroka Pula.
Shiroka Pula tha se çdo votë e shqiptarëve ka rëndësi dhe pjesëmarrja e tyre është kontribut i drejtpërdrejtë për përfaqësimin politik dhe për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
“Të bashkuar në përfaqësim, më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave tuaja”, shkroi në fund presidentja kosovare.
Në legjislaturën e fundit të parlamentit serb, Shaip Kamberi ishte deputeti i vetëm shqiptar.
Në tri komunat me popullsi shqiptare në Serbi, Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të njohura me një emër si Lugina e Preshevës, jetojnë më shumë se 60.000 shqiptarë, të cilët përbëjnë pakicën e katërt më të madhe në Serbi, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2022.



