Merz: Duhet ta normalizojmë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit

Kancelari gjerman Friedrich Merz theksoi rëndësinë e normalizimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, duke paralajmëruar se çështjet e pazgjidhura nga e kaluara dhe polarizimi politik pengojnë ndërtimin e një Evrope më të qëndrueshme dhe më të suksesshme, raporton Anadolu.
“Është shumë e vështirë të përparojmë nëse e kaluara vazhdimisht na mban prapa. Polarizimi nuk do të çojë kurrë drejt një Evrope më të suksesshme. Ne e kemi refuzuar glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe nëse duam një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk duhet të hedhim benzinë mbi zjarrin. Duhet ta normalizojmë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Merz në fjalimin hyrës në Samitin e liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Ai theksoi se Mali i Zi ka shënuar përparim të rëndësishëm në rrugën drejt integrimit evropian dhe se anëtarësimi në Bashkimin Evropian (BE) është një synim realisht i arritshëm.
Merz vuri në dukje se Mali i Zi pothuajse i ka përfunduar negociatat e anëtarësimit, duke theksuar se reformat, vullneti politik dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për përparimin e mëtejshëm të Ballkanit Perëndimor.
“Po tregoni përparim dhe se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është vërtet i mundur. Keni qenë të vendosur dhe përpjekjet tuaja janë shpërblyer. Ky është një rajon në lëvizje, një rajon ndryshimesh, por këto ndryshime duhet të vijnë nga brenda. Kjo është një nga idetë themelore të Procesit të Berlinit – ta mbledhim Ballkanin Perëndimor në të njëjtën tryezë, si dhe të nisim dhe forcojmë bashkëpunimin rajonal”, tha Merz.
Ai theksoi se që nga takimi i mbajtur në Tivat në qershor të këtij viti është shënuar përparim në forcimin e Procesit të Berlinit.
“Që nga takimi ynë në Tivat në qershor, e kemi rikthyer Procesin e Berlinit në rrugën e duhur. Mali i Zi pothuajse i ka përfunduar negociatat e anëtarësimit dhe ne po punojmë së bashku për të mundësuar zgjerimin e bazuar në merita. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe unë kemi paraqitur së bashku propozime për zgjerimin, shumë prej të cilave janë pranuar nga Komisioni Evropian. E falënderojmë komisaren Marta Kos për këtë”, tha ai.
Merz theksoi se vazhdimi i integrimit evropian kërkon që vendet e rajonit të dëshmojnë gatishmëri për zbatimin e reformave dhe vendosmëri politike. Duke folur për protestat dhe tensionet politike, ai nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së paqes, refuzimit të dhunës dhe kapërcimit të ndasive.
“Protestat në rajon na kujtojnë se duhet të vazhdojmë zgjerimin dhe forcimin e paqes. Kur përballemi me protesta, qoftë në Bashkimin Evropian apo diku tjetër, dhuna nuk duhet të jetë opsion për asnjërën palë”, tha kancelari gjerman.
Ai bëri thirrje për përgjegjësi dhe përparim konkret në zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon, duke theksuar se Gjermania mbetet e përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Procesi i Berlinit synon forcimin e bashkëpunimit rajonal, lidhjeve ekonomike dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë si dhe përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Me samitin e së enjtes, Mali i Zi përmbyll kryesimin e Procesit të Berlinit, gjatë të cilit janë organizuar 26 ngjarje, prej tyre 14 në nivel ministror. Sipas të dhënave të qeverisë malazeze, ky është numri më i madh i aktiviteteve gjatë një kryesimi të kësaj nisme.
Në fokus të diskutimeve do të jenë nismat e përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin e rajonit dhe afrimin e tij me Bashkimin Evropian.



