Mickoski: Maqedonia e Veriut e ka merituar prej kohësh anëtarësimin në BE, presim mesazhe të forta

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se vendi i tij e ka merituar prej kohësh të jetë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), por për shkak të disa arsyeve artificiale ende nuk ka mundur t’i nisë negociatat e anëtarësimit, raporton Anadolu.
Duke folur para Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, gjatë pritjes nga kryeministri malazez Milojko Spajiq, Mickoski tha se pret mesazhe të forta për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE si dhe diskutime kuptimplota dhe rezultate konkrete nga samiti.
“Dosja maqedonase është komplekse. Ne e kemi merituar të ishim pjesë e BE-së shumë kohë më parë, por, fatkeqësisht, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje t’i fillojmë negociatat”, tha Mickoski.
Ai theksoi se gjatë fjalimit të tij do të përcjellë mesazhin për përkushtimin e fortë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ndaj agjendës së reformave të BE-së dhe integrimit evropian. Mickoski shtoi se veprimet e qeverisë së tij janë në përputhje me këtë synim dhe se vendi do të vazhdojë në të njëjtin drejtim edhe në të ardhmen.
Duke iu referuar situatës globale, ai tha se bota po përballet me kohë sfiduese, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë, luftën në Iran, krizën në tregjet financiare dhe protestat në mbarë Evropën.
“Ne duhet të gjejmë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë në mbarë botën, veçanërisht në Evropë, dhe qeveria ime është e gatshme të kontribuojë në këtë drejtim”, tha ai.
“Shpresoj për diskutime kuptimplota dhe rezultate frytdhënëse nga samiti i sotëm”, përfundoi Mickoski.



