Kafene, klube nate, kazino dhe bastore! Aksion në mbi 60 lokacione, arrestime dhe lokale të mbyllura

Mbi 60 lokacione në të gjithë Maqedoninë e Veriut janë përfshirë në një aksion të koordinuar policor dhe inspektues gjatë ditës së djeshme, deri vonë gjatë natës. Gjatë kontrolleve, sipas informacioneve jozyrtare të cilat i mëson TV21, janë zbuluar disa parregullsi, janë shqiptuar gjoba, janë lëshuar ndalesa për punë, ndërsa disa nga objektet janë mbyllur.

Në aksion kanë marrë pjesë Departamenti i Policisë Kriminalistike pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të gjithë sektorët për punë të brendshme dhe disa shërbime inspektuese. Kontrollet janë kryer në kafene, klube nate, kazino, bastore dhe objekte të tjera.
Sipas informacioneve jozyrtare, shërbimet inspektuese kanë konstatuar parregullsi që lidhen me mbrojtjen nga zjarri, si dhe hyrje dhe dalje të bllokuara në disa objekte.

Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe persona të mitur, të cilëve, sipas informacioneve, u është shërbyer alkool. Gjithashtu, është zbuluar edhe një objekt ku dyshohet se organizoheshin baste ilegale online.

Në kuadër të aksionit janë kryer edhe bastisje, ndërsa disa persona janë arrestuar. Për momentin, nuk ka detaje zyrtare për numrin e personave të ndaluar, lokacionet ku janë kryer bastisjet dhe kundërvajtjet apo veprat penale konkrete që po hetohen.

Aksioni vjen pas aktiviteteve të koordinuara gjatë dy ditëve të fundit, të cilat kishin për qëllim luftimin e tregtisë së paligjshme me drogë dhe armë.
Informacione më të hollësishme zyrtare për kontrollet dhe rezultatet e aksionit priten nga Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button