Moska: Cisterna e parë me naftë ruse drejt tregjeve botërore është nisur

Moska mbrëmë ka njoftuar se cisterna e parë me naftë ruse, e destinuar për tregjet botërore, është nisur nga porti i origjinës, transmeton Anadolu.
Zv/kryeministri Aleksander Novak deklaroi në emisionin politik Solovyov Live se Moska nuk ka “asnjë problem” sa i përket shitjes së naftës dhe se shumë vende janë të interesuara të blejnë naftë ruse.
“Jam në dijeni se cisterna e parë tashmë është ngarkuar dhe është nisur nga porti i Diksonit”, tha Novak, duke iu referuar portit rus në Arktik, në bregdetin e Detit Kara, në rajonin e Krasnojarskut.
Më 9 tetor, presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur një marrëveshje për furnizimin me naftë dizel, pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin. Sipas marrëveshjes, Moska ra dakord të furnizojë me karburant SHBA-në dhe tregjet globale.
Putin deklaroi se furnizimi i tregjeve amerikane dhe botërore me naftë dizel ruse do t’i sillte përfitime ekonomisë botërore, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e kritikoi marrëveshjen, duke paralajmëruar se lehtësimi i kufizimeve ndaj eksporteve ruse të naftës dizel mund të ndihmojë në financimin e luftës së Rusisë.
Në deklarata të tjera, Novak tha se tregu aktualisht po përballet me një mungesë prej rreth 4 deri në 6 milionë fuçi nafte në ditë, gjë që ka çuar në rritjen e çmimeve.
Ai tha se, ndonëse tregu shpreson për një zgjidhje, çmimet mbeten të larta dhe do të rriten edhe më shumë nëse situata në Ngushticën e Hormuzit nuk përmirësohet.
“Nëse krijohen mundësitë për rifillimin e furnizimeve nga vendet e Gjirit Persik, mendoj se tregut do t’i duhet nga një vit deri në një vit e gjysmë për të rivendosur ekuilibrin”, shtoi Novak.
Ai argumentoi se mundësia e përdorimit të rezervave të naftës për stabilizimin e tregut botëror “tashmë po shteron”.
Zv/kryeministri rus tha se Rusia pret të furnizojë Kinën fqinje me 39 miliardë metra kub gaz përmes gazsjellësit Poëer of Siberia.
“Ekziston gjithashtu një marrëveshje për zgjerimin e kapacitetit të furnizimit në 44 miliardë metra kub gaz”, tha ai.
Novak deklaroi se ekziston ende mundësia teknike për të rikthyer furnizimet me gaz drejt Evropës përmes gazsjellësve Rrjedha Veriore, “nëse merren vendime lidhur me gazsjellësit e dëmtuar”.
“Aktualisht, tre nga katër linjat janë jashtë funksionit si pasojë e sulmeve terroriste dhe shpërthimeve. Një linjë mbetet e paprekur dhe përmes saj mund të realizohen furnizimet. Megjithatë, kjo varet nga konsumatorët, pra nga partnerët tanë evropianë”, tha ai.
Ndaj lajmin
NSosyal



