Parlamenti egjiptian do të diskutojë autorizimin e ndërhyrjes për mbrojtjen e Arabisë Saudite, nëse kërkohet

Parlamenti i Egjiptit do të mbajë një seancë plenare, pas thirrjes së presidentit Abdel-Fattah el-Sisi për të marrë autorizimin që Egjipti t’i ofrojë Arabisë Saudite ndihmë mbrojtëse, nëse kjo kërkohet, transmeton Anadolu.

“Duke marrë parasysh kërkesën e presidentit, është vendosur që seanca plenare e parlamentit të mbahet nesër, të dielën, më 18 tetor 2026, në orën 13:00 (10:00 GMT)”, citoi gazeta egjiptiane Al-Ahram parlamentin në një deklaratë.

Duke folur të shtunën në ceremoninë e diplomimit të Akademisë Ushtarake Egjiptiane në Kryeqytetin e Ri, Sisi tha se Egjipti do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur Arabinë Saudite, nëse Riadi kërkon ndihmë.

Ai theksoi se çdo veprim i tillë do të kërkonte miratimin e parlamentit dhe bëri thirrje për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të autorizuar ndërhyrjen, në rast se Arabia Saudite kërkon mbështetjen e Egjiptit.

Kohët e fundit, Arabia Saudite është përballur me sulme nga grupi Huthi i Jemenit.

Jemeni është përfshirë në konflikt që nga shtatori i vitit 2014, kur Huthitë morën nën kontroll kryeqytetin jemenas, Sana, dhe disa provinca të vendit. Kjo bëri që një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite të ndërhynte në mars të vitit 2015, në mbështetje të qeverisë së njohur ndërkombëtarisht.

Përleshjet e fundit nisën në korrik, kur u shemb armëpushimi i vendosur në vitin 2022.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button