Erdogan përshëndet nisjen e një epoke të re në historinë energjetike të Turqisë, Osman Gazi niset drejt Detit të Zi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se Turqia po hap një kapitull të ri në historinë e saj energjetike me dërgimin e platformës lundruese të prodhimit Osman Gazi drejt Detit të Zi, transmeton Anadolu.
“Sot po hapim një faqe krejtësisht të re në historinë tonë energjetike. Po e dërgojmë Osman Gazin, në thelb një objekt industrial lundrues, drejt vendndodhjes së tij të punës në Detin e Zi”, tha Erdogan në një videomesazh.
Ai e përshkroi platformën si objektin e parë të prodhimit të “Atdheut Blu”, respektivisht vizionit detar të Turqisë në kuadër të nismës “Shekulli i Turqisë”.
“Osman Gazi është fabrika e parë e Atdheut Blu, homologu detar i vizionit tonë ‘Shekulli i Turqisë’ ”, tha ai.
E pajisur me 21 njësi të ndryshme, theksoi Erdogan, platforma do të përpunojë gazin natyror të nxjerrë nga puset në Fushën Gazmbajtëse të Sakaryas dhe do ta transportojë atë drejt Filyosit përmes tubacioneve nënujore.
“Prodhimi i gazit natyror në Detin e Zi do të dyfishohet, duke arritur në 20 milionë metra kub në ditë, ndërsa duke filluar nga viti 2027, një në çdo tre familje do të përdorë gazin natyror të prodhuar në vend”, shtoi ai.
Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, foli në një ceremoni në Portin e Filyosit, ku u shënua nisja e platformës lundruese të prodhimit Osman Gazi drejt destinacionit të saj operacional në Fushën Gazmbajtëse të Sakaryas.
Bayraktar tha se platforma do ta rrisë prodhimin ditor të gazit në këtë fushë në 20 milionë metra kub gjatë vitit 2027, duke e cilësuar Osman Gazin si objektin e parë lundrues të Turqisë për përpunimin e gazit natyror.
“Synimi ynë është të ndezim flakën në kullën e djegies së gazit të Osman Gazit, në Fushën Gazmbajtëse të Sakaryas, përpara fundit të këtij viti”, tha ai.



