(VIDEO) Me automjet policor të posaçëm kapet një motoçiklist që po voziste me 188 km/h në autostradën Gostivar–Tetovë

Në autostradën Gostivar–Tetovë, dje pasdite, zyrtarët policorë të Njësisë Mobile për Sigurinë e Trafikut Rrugor, në kuadër të Sektorit për Punë të Trafikut, kanë regjistruar një motoçikletë të markës “Yamaha”, me targa të Gostivarit, duke lëvizur me shpejtësi prej 188 kilometrash në orë, në një segment ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 kilometra në orë.
Shoferi V.B. (27) nga Gostivari është privuar nga liria për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik”, sipas nenit 297-a të Kodit Penal.
“Janë ndërmarrë të gjitha masat përkatëse dhe ndaj tij do të vijojë procedura e duhur në përputhje me ligjin”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se do të vazhdojnë kontrollet e shtuara të trafikut me automjete speciale policore në të gjithë territorin e vendit, me qëllim zbulimin dhe sanksionimin e shoferëve të papërgjegjshëm, rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve në trafik.
Drejtimi i automjeteve me shpejtësi mbi kufirin e lejuar është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore, të cilat shpeshherë sjellin pasoja të rënda për pronën, shëndetin dhe jetën e njerëzve.
MPB-ja u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e komunikacionit, në mënyrë që së bashku të kontribuojnë për rrugë më të sigurta.



