Rëndohet bilanci në Pakistan, 34 të vdekur nga shembja e çatisë së një shkolle

Ka shkuar në 34 numri i personave që kanë vdekur nga shembja e çatisë së një shkolle në qytetin Peshawar të Pakistanit. Në mesin e viktimave janë 33 fëmijë dhe një mësues, ndërsa shumica e fëmijëve të vdekur janë nën moshën 13-vjeçare.
Sipas raportimeve nga spitalet, Spitali “Lady Reading” ka konfirmuar 33 të vdekur, përfshirë 32 fëmijë dhe një mësues, ndërsa Spitali “Naseerullah Khan Babar” ka raportuar vdekjen e një fëmije tjetër.
Çatia e shkollës u shemb teksa nxënësit po zhvillonin procesin mësimor. Pas ngjarjes, ambulancat nxituan në vendin e incidentit, ndërsa ekipet e shpëtimit nisën operacionin për nxjerrjen e personave të ngujuar nën rrënoja.
Pamjet televizive treguan punonjësit e shpëtimit duke nxjerrë nxënës të gjakosur nga rrënojat. Operacioni për kërkimin dhe nxjerrjen e fëmijëve të ngujuar po vazhdon.
Ndërkohë, sipas zyrtarëve policorë, pronari i shkollës është arrestuar, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e shembjes dhe për të shqyrtuar strukturën e godinës.



