Mickoski: BE-ja mbetet qëllim strategjik, nuk ka zhvendosje asnjë milimetër

Bashkimi Evropian mbetet qëllimi strategjik i shtetit dhe në këtë pikëpamje nuk ka asnjë zhvendosje, tha kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Arbana Pasholli nga Fronti Evropian për strategjinë e Qeverisë për zhbllokimin e procesit eurointegrues dhe hapjen e kapitujve negocuese.

“Bashkimi Evropian mbetet qëllimi ynë strategjik dhe këtu nuk ka zhvendosje asnjë milimetër. Ne duam që ky proces, siç e kemi thënë shumë herë në të kaluarën, ta fillojmë dhe ta përfundojmë, jo vetëm ta fillojmë. E shihni se si retorika në Kuvend gradualisht po ndryshon nga seanca në seancë, nga muaji në muaj, nga viti në vit, kur edhe vetë thatë se kjo është zgjidhje për anëtarësim, tani thoni se është zgjidhje për fillimin e negociatave, gjë që është e saktë, kjo është zgjidhje për fillimin e negociatave”, theksoi Mickoski.

Ai tha se Qeveria po zhvillon dialog me Bullgarinë dhe ofroi që opozita drejtpërdrejt të përfshihet në proces.

“Në këtë dialog që po zhvillojmë me Bullgarinë, absolutisht, ja ju, si opozitë e bashkuar nga disa parti politike, propozoni përfaqësues që të jenë pjesë e ekipit që do ta zhvillojë atë dialog me fqinjin tonë lindor. Ne do ta respektojmë absolutisht këtë”, theksoi kryeministri.

Në përgjigjen e tij, ai vlerësoi se situata aktuale është pasojë e politikave të qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së. Sipas Mickoskit, Qeveria aktualisht po punon për ndryshimin e perceptimit tek partnerët evropianë dhe në hapjen e hapësirës për zhbllokimin e procesit.

“Ky proces është i ngadaltë, por po ndodh dhe kjo është realitet”, tha ai, duke shtuar se ndryshimet mund të shihen edhe përmes kontakteve të fundit midis ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Bullgarisë, si dhe takimeve me komisioneren evropiane, Marta Kos.

Kryeministri njoftoi se hapi tjetër do të jetë harmonizimi i Planit të Veprimit për minoritetet, dokument që, siç theksoi ai, është pranuar nga 26 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, por jo edhe nga Bullgaria.

“Pse ky Plan Veprimi për minoritetet është i rëndësishëm. Edhe nëse vendosni nesër të ndryshoni Kushtetutën në mënyrën që keni vendosur, përsëri kjo nuk do të jetë e mjaftueshme për të vazhduar negociatat, sepse duhet të kemi Plan Veprimi të harmonizuar për minoritetet. Ashtu që, së pari do të harmonizojmë Planin e Veprimit për minoritetet”, tha kryeministri, duke përsëritur se edhe opozita është e ftuar të marrë pjesë në dialog.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button