Sekuestrohen mbi 500 metra kub dru dhe parashtrohen 140 kallëzime

Policia Pyjore ka zhvilluar aksione të intensifikuara kundër prerjes së paligjshme të pyjeve në të gjithë vendin. Gjatë muajit shtator dhe në fillim të tetorit janë sekuestruar mbi 500 metra kub dru të prerë në mënyrë të paligjshme dhe janë paraqitur 140 kallëzime.
Përkohësisht janë konfiskuar 13 automjete transportuese, 17 automjete pasagjerësh, nëntë traktorë, si dhe sharra motorike, rimorkio, sëpata dhe mjete të tjera të përdorura për prerjen dhe transportin e paligjshëm të druve.
Aksionet po zhvillohen paralelisht me kontrollet e rregullta ditore, me vëmendje të veçantë në zonat ku veprojnë më shumë grupe të organizuara të prerësve të paligjshëm të pyjeve. Kontrollet synojnë gjithashtu të parandalojnë furnizimin e paligjshëm me dru të amvisërive dhe kapaciteteve prodhuese, veprimtari që shkakton dëme të konsiderueshme në fondin pyjor, njofton ministria përkatëse.
“Aksionet e intensifikuara do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, në të gjithë territorin e shtetit. Mbrojtja e pyjeve është interes publik dhe përgjegjësi institucionale e jona. Policia Pyjore e ka mbështetjen e plotë të Ministrisë për të vepruar me vendosmëri dhe në mënyrë të qëndrueshme kundër prerjes, transportit dhe tregtisë së paligjshme të druve, brenda autorizimeve të saj ligjore”, deklaron ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski.
Në prag të sezonit të ngrohjes, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave u bën thirrje qytetarëve që drutë për ngrohje t’i blejnë vetëm nga shitësit dhe depot e licencuara. Furnizimi me dru nga burime të ligjshme kontribuon drejtpërdrejt në parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe mbrojtjen e pyjeve.
Njëkohësisht, qytetarët ftohen që çdo dyshim për prerje, transport dhe shitje të paligjshme të druve ta raportojnë te Policia Pyjore dhe organet e tjera kompetente.



