Arabi Saudite, aktivizohen alarmet për kërcënime të mundshme në Riad dhe Al-Kharj

Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite tha sot se alarmet paralajmëruese u aktivizuan në kryeqytetin Riad dhe në qarkun pranë Al-Kharj për kërcënime të mundshme përpara se autoritetet të njoftonin se rreziku kishte kaluar, transmeton Anadolu.
Mbrojtja Civile tha se Platforma Kombëtare e Paralajmërimit të Hershëm lëshoi alarme në Riad dhe në provincën Al-Kharj, në juglindje të kryeqytetit, duke paralajmëruar banorët për rrezik të mundshëm.
Në njoftimet e mëpasshme, agjencia njoftoi se rreziku kishte kaluar në të dy lokacionet. Mbrojtja Civile nuk specifikoi menjëherë natyrën e kërcënimeve të mundshme që nxitën alarmet.
Arabia Saudite është përballur me një seri sulmesh me raketa dhe dron në mes të përshkallëzimit të armiqësive me grupin Huthi të Jemenit. Autoritetet saudite thanë sot se katër persona u plagosën dhe 15 shtëpi pësuan dëme të vogla pasi mbetjet nga dy raketa lundrimi të kapura ranë në Riad të martën.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite njoftoi se ka shkatërruar një raketë lundrimi në Al-Kharj ndërsa një sulm në një ndërtesë administrative që i përkiste kompanisë shtetërore të naftës “Aramco” shkaktoi zjarr të vogël në qytetin lindor Dhahran.



