Emiri i Katarit bën thirrje për përgjegjësi për autorët e gjenocidit në Gaza

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani sot bëri thirrje për përgjegjësi për gjenocidin e vazhdueshëm të Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, transmeton Anadolu.

“Ajo që ndodhi në Rripin e Gazës është padyshim gjenocid dhe autorët e tij nuk duhet të lejohen t’i shpëtojnë përgjegjësisë”, tha Tamim gjatë një fjalimi në hapjen e sesionit të 55-të vjetor të Këshillit Shura të Katarit në Doha.

Katari ka luajtur rol ndërmjetësues në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës izraelite në Gaza.

Izraeli ka vrarë më shumë se 74 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 175 mijë të tjerë në Gaza që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë ndërsa rreth 90 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas autoriteteve palestineze.

Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi ​​urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), organi kryesor gjyqësor i OKB-së, po shqyrton gjithashtu një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut dhe të cilës iu bashkuan disa vende që akuzojnë Izraelin për gjenocid kundër palestinezëve në Gaza.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me vëllezërit tanë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe rajonalë për ta mbajtur rajonin tonë të qëndrueshëm dhe të sigurt”, shtoi emiri i Katarit.

Katari, Egjipti dhe Turqia ndërmjetësuan një marrëveshje armëpushimi në Gaza që hyri në fuqi më 10 tetor 2025, si pjesë e një plani të propozuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Pavarësisht marrëveshjes, gjenocidi i Izraelit ka vazhduar, duke vrarë 1.493 palestinezë dhe duke plagosur 5.299 të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Izraeli vazhdon të kufizojë hyrjen e sasive të dakorduara të ushqimit, ilaçeve, furnizimeve mjekësore, materialeve të strehimit dhe shtëpive të parafabrikuara në Gaza, ku jetojnë rreth 2.4 milionë palestinezë, përfshirë rreth 2.15 milionë persona të zhvendosur, në mes të kushteve të rënda humanitare.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button