Dy kallëzime penale ndaj motoçiklistit që bëri veprime të rrezikshme në “Partizanska” (VIDEO)

Dy kallëzime penale ndaj motoçiklistit që bëri veprime të rrezikshme në “Partizanska”
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se motoçiklisti që lëvizte me një rrotë në bulevardin “Arradhat Partizane” dhe publikonte video në TikTok do të përballet me dy kallëzime penale: për drejtim të pakujdesshëm të automjetit dhe për rrezikim të sigurisë në komunikacion me veprim ose mjet të rrezikshëm.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se kanë zhvilluar bisedë zyrtare me pronarin dhe përdoruesin e motoçikletës “Suzuki”. Sipas informatave të marra, më 3 tetor motoçikletën e kishte drejtuar A. A. (37) nga Shkupi.
“Pas publikimit në disa portale dhe media elektronike të videos ku shihet një person duke drejtuar motoçikletë ‘Suzuki’ në mënyrë të pasigurt, me një rrotë, në bulevardin ‘Arradhat Partizane’, pranë kryqëzimit me rrugën ‘29 Nëntori’, duke rrezikuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, Njësia për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor pranë SPB Shkup, në bashkëpunim me ‘Qytetin e Sigurt’, ndërmori masa dhe veprime. U konstatua se bëhej fjalë për një motoçikletë ‘Suzuki’ me targa të Shkupit, të cilën më 3 tetor 2026 e kishte drejtuar një person i gjinisë mashkullore në bulevardin e përmendur. Fillimisht u zhvillua bisedë me pronarin dhe më pas me përdoruesin e motoçikletës, i cili deklaroi se atë ditë e kishte përdorur A. A. (37) nga Shkupi”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Gjatë bisedës me policinë, ai ka deklaruar se e kishte drejtuar motoçikletën pa pasur patentë shoferi dhe se kishte publikuar disa video në TikTok.
“Është njoftuar prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup. Kundër A. A. do të parashtrohet kallëzim penal sipas nenit 297-A të Kodit Penal, për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, si dhe sipas nenit 298, për rrezikim të sigurisë në komunikacion me veprim ose mjet të rrezikshëm”, njoftojnë nga MPB-ja.



