Kasami uron Justina Shiroka-Pulën: Kosova po hapëron drejt stabilitetit institucional

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, ka përshëndetur zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Përmes një mesazhi publik, Kasami i ka uruar Shiroka-Pulës mandat të mbarë dhe të suksesshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“E përshëndes zgjedhjen e znj. Justina Shiroka Pula si Presidente e Republikës së Kosovës. I uroj mandat të mbarë dhe të suksesshëm. Presim të bashkëpunojmë ngusht, si dy shtete vëllazërore, në të mirën e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kasami.
Në reagimin e tij, ai është shprehur edhe për konsensusin e arritur ndërmjet aktorëve politikë në Kosovë lidhur me Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Kasami ka vlerësuar gjithashtu zhvillimet institucionale në Kosovë, duke deklaruar se vendi po ecën drejt stabilitetit institucional.
“Kosova në rrugë të mbarë!”, ka shkruar Kasami, ndërsa në fund ka përgëzuar dhe falënderuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për atë që ai e ka cilësuar si “udhëheqje bashkuese dhe prej burrështetasi”.



