I etiketoi shqiptarët si “fis i pacivilizuar”, reagon këshilltari i VLEN-it, kërkon largimin e mësueses maqedonase

Këshilltari i VLEN-it në Komunën e Butelit, Behar Rexhepi, ka reaguar ndaj një komenti të publikuar nga Aleksandra Kozarevska, mësuese në SHF “Panajot Ginovski”, në të cilin shqiptarët etiketohen si “fis i pacivilizuar”.
Rexhepi e ka cilësuar komentin si të papranueshëm dhe veçanërisht shqetësues për faktin se, sipas tij, bëhet fjalë për një mësuese që u jep mësim të gjuhës maqedonase edhe nxënësve shqiptarë.
“Është i papranueshëm komenti i publikuar nga Aleksandra Kozarevska, mësuese në SHF ‘Panajot Ginovski’, ku shqiptarët etiketohen si ‘fis i pacivilizuar’”, deklaroi Rexhepi.
Ai theksoi se një gjuhë e tillë ndaj një komuniteti shtetformues është shqetësuese, sidomos kur vjen nga një person që ka përgjegjësi në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve.
“Një gjuhë e tillë fyese dhe përçmuese ndaj një komuniteti shtetformues është veçanërisht shqetësuese kur vjen nga një mësuese që u jep mësim të gjuhës maqedonase edhe fëmijëve shqiptarë dhe ka përgjegjësi për edukimin e tyre”, u shpreh Rexhepi.
Këshilltari i VLEN-it kërkoi nga kryetari i Komunës së Butelit dhe drejtoria e shkollës që ta verifikojnë rastin, të përcaktojnë përgjegjësinë dhe të ndërmarrin masat përkatëse.
“Kërkojmë nga kryetari i Komunës së Butelit dhe drejtoria e shkollës ta verifikojnë rastin, të përcaktojnë përgjegjësinë dhe të marrin masa përkatëse në kuadër të kompetencave të tyre, përfshirë shqyrtimin e largimit të saj nga mësimdhënia”, deklaroi ai.
Sipas Rexhepit, komente të tilla dëmtojnë marrëdhëniet dhe besimin ndërmjet komuniteteve.
“Komente të tilla dëmtojnë besimin mes komuniteteve dhe të ardhmen e përbashkët të shtetit tonë”, theksoi Rexhepi.
Në fund, ai tha se arsimi duhet të ketë rol në ndërtimin e respektit dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve.
“Arsimi duhet të promovojë respekt dhe bashkëjetesë, jo urrejtje etnike”, përfundoi Behar Rexhepi.



