Këshilltarët e VLEN-it: Punë konkrete për qytetarët e Shkupit!

Në seancën e 19-të të Këshillit të Qytetit të Shkupit, grupi i këshilltarëve të VLEN-it ka mbështetur një sërë vendimesh që, sipas tyre, synojnë përmirësimin e shërbimeve dhe funksionalitetit të qytetit.
Këshilltari i VLEN-it në Qytetin e Shkupit, Zekerija Berisha, tha se votat e grupit të tyre kanë mbështetur masa që lidhen drejtpërdrejt me jetën e përditshme të qytetarëve.
“Si grup këshilltarësh të VLEN-it, mbështetëm vendime që kanë një qëllim të qartë: më shumë shërbime, më shumë funksionalitet dhe kushte më të mira për qytetarët e Shkupit”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, në seancën e sotme janë mbështetur vendime për përmirësimin e organizimit të transportit publik, avancimin e rendit komunal, bashkëpunimin për sinjalizim më të mirë dhe më të sigurt të trafikut, si dhe krijimin e kushteve që shkollat të mund të formojnë paralele edhe me numër më të vogël nxënësish.
Gjithashtu, këshilltarët e VLEN-it kanë mbështetur investimet për efikasitet energjetik në shkollat e mesme të Qytetit të Shkupit, si dhe programet për funksionimin e institucioneve publike dhe kulturore.
Në fokus të seancës ishin edhe planet vjetore të punësimit për vitin 2027, për Qytetin e Shkupit dhe ndërmarrjet e institucionet publike, përfshirë “Ujësjellësin dhe Kanalizimin”, “Parkingun e Qytetit”, “Drisllën”, “Higjienën Komunale”, “Lajkën”, “Parqet dhe Gjelbërimet”, “Rrugët dhe Rrugicat”, NQP Shkup, si dhe institucionet kulturore dhe arsimore të qytetit.
Berisha tha se për VLEN-in, mandati në Këshillin e Qytetit nuk nënkupton vetëm pjesëmarrje në votime, por edhe përgjegjësi për të negociuar dhe realizuar zgjidhje konkrete.
“Për ne në VLEN, mandati në Këshill nuk është vetëm një ulëse dhe as vetëm një votë. Është përgjegjësi për të kërkuar, negociuar dhe realizuar zgjidhje konkrete për qytetarët që na kanë dhënë besimin e tyre”, tha ai.
Berisha iu përgjigj edhe kritikave të opozitës, duke deklaruar se vendimet që miratohen në Këshill janë rezultat i punës dhe koordinimit me partnerët me të cilët, sipas tij, VLEN e udhëheq Qytetin e Shkupit.
“Punët e mira që votohen dhe realizohen në Këshillin e Qytetit nuk lindin nga deklaratat e opozitës pas përfundimit të seancave. Ato janë rezultat i punës, koordinimit dhe marrëveshjeve paraprake me partnerët e koalicionit me të cilët e udhëheqim Qytetin e Shkupit”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se synimi i grupit të VLEN-it është të fokusohet në rezultate konkrete.
“VLEN nuk është në Këshill për të bërë zhurmë, jemi këtu për të prodhuar rezultate”, tha Berisha.
Në fund, ai deklaroi se grupi i këshilltarëve do të vazhdojë të kërkojë mbështetje për projektet që, sipas tyre, janë në interes të qytetarëve.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë pjesën që u takon qytetarëve tanë, të mbështesim çdo projekt të mirë për Shkupin dhe të punojmë që fjala e dhënë të shndërrohet në punë të kryer. Sepse besimi fitohet me votë, por ruhet me punë”, përfundoi Berisha.



