Saliu: Demokracia nuk matet vetëm me sa gra ulen në tavolinë, por sa ndikim kanë në vendimmarrje

Deputetja e VLEN-it, Imerlije Saliu, ka ngritur çështjen e përfaqësimit të grave në institucionet publike dhe veçanërisht në politikë, duke theksuar se përfshirja e grave në vendimmarrje duhet të jetë një kauzë e përbashkët, pavarësisht përkatësisë politike.
Përmes një statusi në Facebook, Saliu thekson se, falë kuotave në listat zgjedhore, aktualisht në Kuvend janë 47 gra nga gjithsej 120 deputetë.
Sipas saj, situata ndryshon ndjeshëm në institucionet ku nuk ekzistojnë kuota të detyrueshme.
“Në Qeveri kemi vetëm 3 gra nga 20 ministri, ndërsa në nivel lokal, pas zgjedhjeve të vitit 2025, kemi vetëm 4 gra nga 81 kryetarë komunash. Fatkeqësisht, në komunat me shumicë shqiptare, nuk kemi asnjë grua kryetare komune”, shkruan Saliu.
Ajo vlerëson se debati nuk duhet të kufizohet vetëm te numri i grave në institucione, por edhe te ndikimi që ato kanë në proceset vendimmarrëse.
“Për mua, demokracia nuk matet vetëm me sa gra ulen në tavolinë, por sa zë dhe ndikim kanë në vendimmarrje.”
Saliu thekson se, përtej përfaqësimit numerik, rëndësi duhet t’i kushtohet cilësisë së përfaqësimit, kompetencës, profesionalizmit dhe autoritetit institucional të grave.
“Përfaqësimi duhet të shoqërohet me ndikim real”, shprehet ajo, duke shtuar se kjo nuk e zbeh kontributin e grave që aktualisht janë pjesë e institucioneve, por, sipas saj, e forcon nevojën për një përfaqësim më të fuqishëm.
Deputetja e VLEN-it ka ngritur gjithashtu shqetësimin për paragjykimet, stereotipet, gjuhën seksiste, denigrimin publik dhe dhunën digjitale ndaj grave në jetën publike.
Ajo ka theksuar se edhe në skenën politike janë parë raste kur gratë, veçanërisht në momente të rëndësishme të karrierës së tyre, janë përballur me sulme që, sipas saj, kanë kaluar përtej kritikës politike dhe kanë prekur dinjitetin dhe jetën personale.
Në fund të reagimit të saj, Saliu shpreh mirënjohje për gratë që kanë kontribuar në hapjen e rrugës për përfaqësimin e grave në politikë dhe institucione.
“Ne që sot jemi pjesë e saj kemi përgjegjësinë jo vetëm ta ruajmë këtë hapësirë, por ta zgjerojmë atë dhe ta bëjmë rrugën më të lehtë për brezat që vijnë”, përfundon deputetja e VLEN-it.



