“Besa Trans”, s’ka përgjegjësi penale për doganierët që lëshuan autobusin me certifikatë licence të falsifikuar

Ndërkohë që zvarritet procesi gjyqësor për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit të aksidentuar në Bullgari, tanimë katër vite nuk ka përgjegjësi penale për doganierët që kanë lëshuar autobusin e “Besa Transit” të kalojë kufirin me dokumente jo të rregullta.
Hetimi, në fakt ishte paralajmëruar nga vetë Prokuroria, derisa njoftoi se ka dorëzuar akuzë kundër “Besa Transit” dhe pronarit të saj Bekim Haxhiu. Në vend hetimit për përgjegjësi penale, dy doganierët përgjegjës për të kontrolluar licencat, kanë kaluar vetëm me masë disiplinore. Njëri është përjashtuar nga puna, kurse tjetri është gjobitur me 15% të rrogës për gjashtë muaj.

Gjatë gjykimit të Bekim Haxhiut, përfaqësuesit e Doganës ishin ftuar për të dëshmuar në Gjykatë, por ata nuk u pyetën pse e kanë lëshuar të kalojë autobusi pa certifikatë licence të vlefshme. Në fakt, ata dëshmuan vetëm për rregullat gjatë kalimit të kufirit.

Ndërkohë që Prokuroria nuk jep përgjigje se çfarë ka ndodhur me hetimin për doganierët, procesi gjyqësor për pronarin e kompanisë dhe kompaninë vazhdon të endet nëpër labirintet gjyqësore, tanimë katër vite.

Pasi e ktheu Apeli lëndën në rigjykim, procesi ka mbaruar tanimë gjashtë muaj, por formalisht palët ende nuk e kanë marrë aktgjykimin për të vazhduar më tej me procesin e ankimimit, sërish në Apel.

Kjo, është në kundërshtim me Ligjin për Procedurë Penale, e cila parashikon që kjo procedurë do të duhej të mbyllej brenda 15 ditësh ose në rrethana kur lënda është e komplikuar afati është 60 ditë.

Sipas vendimit të shkallës së parë, pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg, ndërsa kompania “Besa Trans” me 800 mijë denarë gjobë. Megjithatë, vendimi nuk është i plotfuqishëm pasi palët kanë të drejtë ankese.

Sipas aktgjykimit, autobusi nuk do të duhej të qarkullonte për transport të udhëtarëve pa licencën përkatëse. Megjithatë, thuhet se nga 10 janari 2021 deri në daljen e fundit nga Maqedonia e Veriut, pra më 21 nëntor të po atij viti, autobusi në fjalë ka kaluar 20 herë kufirin me certifikatë licence të falsifikuar. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button